Politikani serb: Nuk jam tradhtar, për mua Kosova është shtet i pavarur

09 gusht 2021 | 12:03

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë sot se personalisht mendon se Kosova është shtet i pavarur.

Çanaku ka thënë për televizionin serb “Happy TV” se ai mendon kështu personalisht, dhe se të gjithë serbët tjerë mund të binden për këtë gjë nëse ata shkojnë në Gjakovë.

“Nëse shkoni në Gjakovë, atëherë shihni se ata e kanë policinë e tyre, gjyqësorin e tyre, një sistem policor që funksionon”, ka thënë Çanaku.

I pyetur nga gazetarët, ai ka thënë se për shkak të këtij qëndrimi nuk e konsideron veten tradhtar.

“Nëse do të kishte një referendum në kohën e Galileos – nëse bota është një pjatë e sheshtë, 99 për qind do të mendonin ashtu, por kjo nuk do të thotë që bota është një pjatë, por që njerëzit mendojnë kështu”, ka thënë Çanaku, duke komentuar pikëpamjet mbizotëruese për Kosovën në mesin e qytetarëve të Serbisë.

Çanaku ka thënë se pas bisedimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai ka arritur në përfundimin se pikëpamjet e tij ishin “të vërteta në disa fusha, dhe në disa fusha konstrukte politike”.

“Nuk është krejtësisht bardh e zi. Por t’i mbyllësh sytë, të mos shohësh në mënyrë patriotike se si është realiteti, nuk është politikë e mirë”, është shprehur Çanaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi grupi militant i talibanëve ka marrë kontrollin e më…