![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/04/mm_oliverIvanovic_beta_np-600x360-1.webp)
Politikani serb tregon kush e ka vrarë Ivanoviqin dhe kush është përgjegjës
Politikani dhe analisti serb Boban Bogdanoviq në një rrëfim special ka folur rreth vrasjes së politikanit serb në veri, Oliver Ivanoviq.
Ai tha se Ivanoviqi u vra për shkak të aktivitetit të tij politik, duke e kundërshtuar fuqishëm Listën Serbe dhe politikat e Beogradit.
“Vrasësi i të ndjerit Ivanoviq është Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviqit”, tha Bogdanoviqi.
Bogdanoviq në emisionin “Politiko” tha se një ditë pas bisedës telefonike të Oliver Ivanoviqit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku i kishte treguar për kërcënimet që kishte marrë dhe rrezikun që ndodhej, ai ishte vrarë.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përgjegjësi sepse Ivanoviqi i kishte treguar atij në telefon se ndihet i kërcënuar dhe Vuçiqi nuk bëri asgjë për të mbrojtur atë”, tha tutje ai.
Ai, po ashtu, për përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit ka përmendur edhe dy politikanët serbë nga veriu, Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojiciq.
“Veselenoviqi dhe Radoiqiqi janë në listën e zezë të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe. Natyrisht që Vuçiqi ka përgjegjësi. Ai nuk e ka kuptuar seriozisht bisedën e fundit me Oliverin kur ky i tha se siguria e tij është e rrezikuar. Ai nuk e ka mbrojtur. Pas këtij takimi ai është vrarë menjëherë. Pas mbështetjes së Veselenoviqit e Radoiqiqit qëndron Vuçiqi. Ata në veri të Kosovës kanë zhvilluar një nacionalizëm të rrejshëm. Ata janë paguar nga shteti i Serbisë. Ata sundojnë në veri të Kosovës. Ata kanë shkaktuar çrregullime tektonike në Sebri. Unë jam sulmuar në mënyrë brutale nga mediet atje”, tha Bogdanoviqi.
Bogdanoviqi e ka konsideruar të çuditshme sjelljen e “gruas pa kurorë” të Oliver Ivanoviqit pas vrasjes së tij, e cila, siç tha ai, pati deklaruar se bashkëshorti i saj nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe tani ajo u punësua në Ministrinë e Turizmit dhe më nuk flet për vrasjen e tij.
“Janë 4 mijë dokumente që flasin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. I kam propozuar Prokurorisë së Kosovës që të formohet një ekip i përbashkët hetues që të dalin para drejtësisë vrasësit e tij”, tha ai.