Politikania shqiptare ndër 100 personalitetet e vitit 2018 në një kanton të Zvicrës
Në mesin e 100 personaliteteve të vitit 2018 në kantonin Thurgau të Zvicrës figuron edhe emri i politikanes shqiptare të liberalëve të FDP-së për Thurgau, Nazmije Ismaili.
Gazeta ditore “Thurgauer Zeitung” në magazinën e saj “Who is Who”, ka prezantuar në një event para 170 të ftuarve në qytetin Weinfelden, emrat e prominentëve të vitit 2018.
Nazmije Ismaili ishte nominuar në kategorinë politikë, sport, ekonomi dhe dije, si personalitet politik që është angazhuar për mirëqenie të qytetarëve. Ismaili është prej tre vjetësh anëtare e komisionit për verfikimin e buxhetit të komunës. Angazhimi i saj veçohet në ruajtjen e vendeve të punës, veçmas në doganën e Romanshornit, për të cilën zëvendëskryetarja e FDP-së për Romanshorn ishte angazhuar me sukses që dogana mos të mbyllet, njofton “Albinfo.ch”.
Krahas angazhimit politik, Ismaili punon si menaxhere e produkteve në kompaninë e madhe të sigurimeve, “Generali”. 29 vjeçarja është e diplomuar në ekonomi dhe që nga qershori është zgjedhur presidente e liberalëve të rinj, JFDP në Thurgau.