Politikanja serbe pretendon se hyri në Kosovë nëpërmjet pyllit: Kush e di cakun, ai e di edhe rrugën, qoftë edhe nëpërmjet pyllit
25 nëntor 2023
| 00:23
Kryetarja e partisë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, ka njoftuar në rrjete sociale se ka hyrë në Kosovë, nëpërmjet pyllit.
Krahas fotografisë me porosinë: “Kush e di cakun, ai e di edhe rrugën”, liderja e tubimit nacional ka rikujtuar se “autoritetet e përkohshme në Prishtinë për vite me radhë nuk ia lejojnë hyrjen në krahinën jugore serbe”.
“Për vjet të tërë ma bllokojnë hyrjen në Kosovë me justifikimin se po ua rrënoj ‘rendin kushtetues’. Për mua është me rëndësi që ta mbroj rendin kushtetues të shtetit tim. Menduan se edhe sonte do të më ndalojnë, por siç thash: Kush e di cakun, ai e di edhe rrugën, qoftë edhe nëpërmjet pyllit. Përshëndetje nga fshati Reçicë!”, ka shkruar ajo.