Politikat e MBPZhR-së në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së
Objektivi kryesor i politikave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) është zhvillimi i bujqësisë sipas modelit evropian, një bujqësi e qëndrueshme dhe konkurruese. Krahas kësaj, MBPZhR-ja përmes investimeve të saj, synon ngritjen e kapaciteteve të fermerëve dhe agrobizneseve vendore, me qëllim që prodhimet të arrijnë të plotësojnë standardet evropiane dhe të depërtojnë në tregjet e BE-së.
Kështu është shprehur të mërkurën zëvendësministri i MBPZhR-së, Mevludin Krasniqi, në konferencën “MSA, sfidat dhe problemet që ballafaqohen prodhuesit vendor”, të organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë(IADK).
Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi, ka thënë se mbështetja e ministrisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bujqësinë kosovare, ka sjellë produktivitet të lartë në sektorin e bujqësisë e bashkë me këtë edhe rritjen e cilësisë së prodhimeve. “Në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së, si dhe me legjislacionin në fuqi, MBPZhR-ja ka shënuar progres në këtë sektor dhe kemi bërë reforma strukturore që janë në përputhje me normat dhe standardet e BE-së.
Po ashtu, angazhimin tonë jemi duke e vazhduar çdo ditë në mbështetje të bujqve, fermerëve dhe prodhuesve vendor për t’ua lehtësuar sfidat me të cilat ballafaqohen ata. Madje, investimet dhe përkrahja institucionale po shkon në ngritjen e cilësisë së produkteve, gjë që është garanci që edhe produktet ‘Made in Kosova’ të depërtojnë edhe në tregun rajonal dhe evropian”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se edhe eksporti i produkteve bujqësore në tregjet e huaja ka shënuar rritje nga viti në vit.
Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e IADK-së kanë prezantuar edhe sfidat me të cilat ballafaqohen fermerët, agrobizneset në punën e tyre e të cilat janë të ndërlidhura me MSA.
/Epoka e re/