Politolinguistika dhe fjalimi politik
Hasan Mujaj
Një numër i madh i “politikanëve” të sotëm të Kosovës, nga njerëz të papunë, pa profesion, përmes shpërdorimesh të ndryshme, kanë kërcyer në tarracën më të lartë politike pa kaluar, së paku, ndonjë shkallë të ngritjes e të përvojës dhe janë bërë: kryeministra, ministra, zëvendësministra, deputetë etj. Dmth. ministritë janë shndërruar në ente të papunësisë! Kjo është e vërteta e politikës së Kosovës sot
Nga fjalimet e diskutimet e shumë qeveritarëve të lartë të shtetit mund të kuptohet se shumë oratorë, politikanë e qeveritarë të Kosovës ende nuk dinë se ka shumë kohë që në disa shtete të Perëndimit është themeluar një disiplinë e re shkencore e quajtur politolinguistikë. Kjo shkencë është më se e mbëhishme (e nevojshme) për t’u mësuar nga secili që do të merret me politikë. Politolinguistika është themeli i fjalimit politik. Pasi është kështu, vështruar nga këndi i krahasimit të barazisë, mund të thuhet se aq sa mund të ngrihet ndërtesa pa themel të qëndrueshëm, aq mund të konstruktohet me kompetencë fjalimi politik pa politolinguistikë.
Politolinguistika është disiplinë shkencore e gjuhësisë, e cila ndjek hulumtimin shkencor të komunikimit politik. Ajo është disiplinë empirike e linguistikës aplikative; ajo kap disa fusha të gjuhësisë ndër të cilat vendin kryesor e zënë semantika dhe pragmalinguistika. Në vitin 1996, me studiuesin Armin Burkhardt në krye, politolinguistika sa vinte e po merrte shtrirje të gjerë zhvillimi si analizë kritike e gjuhës politike dhe, si shkencë dyjare, u vendos midis linguistikës e politologjisë. Në Universitetin e Vjenës u themelua një sektor i veçantë i studimit të saj. Si objekt studimi politolinguistika ka ndërtimin dhe përzgjedhjen e shprehjes politike në të gjithë përbërësit e saj p.sh. fjalori politik, i cili kërkon pasuri dhe freski të përhershme, gjuha parlamentare dhe sociokultura, strategjia politike e komunikimit sipas rrethanave politike, metaforika e politikës dhe pyetjet retorike, dialogu politik, polisemia dhe variantet mikrosemantike, eufemizmi politik, të cilin Burkhardt e sheh si element të rëndësishëm të gjuhës politike, të cilën (gjuhë) e bën më të depërtueshme dhe më të pranueshme, biheviorizmi politik, kontestet dhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat gabojnë shpesh politikanët e Kosovës dhe gabimet i shohin pasi t’i nënshkruajnë; më pas provojnë t’i shfuqizojnë dhe dëshmojnë se nuk dinë ç’janë politolinguistika, filozofia politike, filozofia morale etj.
Kritika politolinguistike është mjaft komplekse; ajo i tejkalon caqet linguistike dhe bashkërendohet me shkenca të tjera jogjuhësore, integrimi i të cilave ngre lart stilin politik, e avancon atë dhe e favorizon akseptimin politik të tij.
Praktika e përditshme e komunikimit politik dëshmon se në veprimtarinë politike të shumë zyrtarëve të lartë të Kosovës nuk zhvillohet diskutim sipas kritereve të shkencave politike, pra as sipas politolinguistikës; në Kosovë si politolinguistikë shërbejnë: mashtrimi, gërnja, montimi, trillimi, kërcënimet me sulmet fizike dhe cili politikan do të dalë fitues në rrahje (Konjufca), kush nga vjen: prejardhja e politikanit (si irelevante që është), mbiemri, martesa, përfitimi, pozitat e larta pa përgatitje e pa përvojë të njerëzve anonimë, interesi i partive politike dhe i individëve për favore të ndryshme dhe më së paku ndiqet përkushtimi i forcimit dhe i zhvillimit të shtetit etj. Kështu, pra, duket politolinguistika sot në Kosovë!
Njohja e statusit fals të disa mijëra “veteranëve” përmes korrupsionit, tentativa për t’i shfuqizuar marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare madje ndonjë edhe të ratifikuar në Parlamentin e shtetit (Gjykata Speciale e Hagës), lejimi i kidnapimit të shtetasve turq, dyfishimi i pagave të qeveritarëve, mosngritja e aktakuzave ndaj disa zyrtarëve të lartë për afera korruptive, për shpërdorime të ndryshme, për falsifikime në arsimin e lartë e vepra të tjera penale, janë disa tregues faktikë të moszbatimit të ligjit dhe të një gjendjeje anarkike, e cila, sidomos vitet e fundit, e ka komprometuar vendin në relacionet ndërkombëtare si shtet jofunksional. Së këndejmi, s’është habi që nuk ka njohje të reja të shtetit, që nuk ka investime të jashtme kapitale si rrjedhojë e korrupsionit të lartë, që nuk hetohet prejardhja e pasurisë enorme e disa politikanëve etj.
Politolinguistika duhet të studiohet e të zhvillohet edhe në pragmatikën politike të Kosovës. Ajo, siç shihet edhe nga termi i emërtimit, burimin e materies e ka në dy fusha kryesore: në politikë dhe në linguistikë, në të cilat qëndron lënda nga mund të kapen edhe temat e ndryshme të trajtimit, edhe mjetet e pasqyrimit e të zbërthimit të tyre. Në kontekstin politik, këto dy dije duhet të shihen të integruara për të ndërtuar tekst me efikasitet të ndikimit dhe të edukimit politik.
Zgjedhja e fjalëve politikisht të matura kërkon njohuri të thella të oratorit jo vetëm rreth temës në trajtim, por edhe nga shkencat e komunikimit. Aspekti politik i fjalimit ndjek strategjinë e depërtimit të pranueshëm dhe realisht të zbatueshëm kurse komponenti linguistik i fjalimit qëndron në dispozicion të politikës për të ofruar mjete të përshtatshme ndërtimi e parashtrimi të mendimit politik.
Politikani duhet të zgjedhë stilin politik në përshtatje me temën përkatëse me fjalë e shprehje, semantika e të cilave është korresponduese me strategjinë politikisht sa më të pranueshme, me ecurinë që nuk mbyll shtegun e trajtimit e të hulumtimit të modaliteteve praktike gjithnjë të mbështetura në parimet e së drejtës dhe të realitetit.
Fjala, forcë e politikës
Filozofi amerikan i shkollës pragmatike të Çikagos Xhon Pirsi, rreth aftësisë oratorike në fushën politike e diplomatike, rreth zgjedhjes së njësive gjuhësore në komunikimin politik, shkruan: “Diplomacia është art: me njëqind fjalë nuk mund të thuhet çka mund të thuhet me një fjalë”.
Nga ky citat del e kuptueshme se ç’domethënie ka fjala, sidomos në kuptimin politik; zgjedhja e fjalës dhe futja e saj në kontekstin e strategjisë efektive duhen të mbështeten në filozofinë e reflektimit politik dhe në semantikën e kompetencës retorike e stilistike. Prandaj, oratori, me njohuri të gjera të shkencave të komunikimit, duke e përqendruar vëmendjen për t’i zgjedhur njësitë gjuhësore nga pikëpamja denotative dhe konotative, përmbajtja e të cilave është e zbatueshme, do të jetë i pranueshëm dhe praktik në fjalimin politik.
Përkitazi me rëndësinë dhe me ndikimin e fjalës në politikë, studiuesi Georg Klaus shkruan: “…das Wort ist ein machtiges Instrument der Politik”.’ Dmth. “…Fjala është instrumenti më i fuqishëm i politikës” (Armind Burkhardt, “Das Parlament und seine Sprache”, Tubingen, 2003, f. 117)
Është detyrë dhe zotësi e oratorit që ta njohë sa më gjerësisht materien leksikore, stilistike, sintaksore, frazeologjike etj. të gjuhës që përdor dhe të dijë të zgjedhë ‘’material ndërtimor’’ (njësitë gjuhësore) përkatës sipas motivit e qëllimit nga aspektet e filozofisë morale dhe të filozofisë politike për ta bërë ndërtimin e tekstit sipas kritereve të arkitekturës retorike e pragmatike mbi themelin e kognicionit filologjik e filozofik.
Si qëndron Kosova në këtë dritë? Dobët. Shumë dobët. Vështirë të gjenden liderë e qeveritarë në politikën e sotme të Kosovës që të jenë oratorë të përgatitur, të cilët mund ta ndjekin e ta zbatojnë këtë ecuri fjalimi. Sepse, ata (oratorët) nuk kanë dituri elementare nga politolinguistika dhe kjo nënkupton faktin se nuk mund të merren me politikë efektive. Fjalimi, politikisht i ngritur, duhet të jetë, ndër të tjera, edhe rezultat i ndërveprimit të këtyre dy shkencave. Dhe, nuk mund të merren me politikë të këtillë (të studiuar) ngase u mungon përgatitja teorike e praktike: një numër i madh i “politikanëve” të sotëm të Kosovës, nga njerëz të papunë, pa profesion, përmes shpërdorimesh të ndryshme, kanë kërcyer në tarracën më të lartë politike pa kaluar, së paku, ndonjë shkallë të ngritjes e të përvojës dhe janë bërë: kryeministra, ministra, zëvendësministra, deputetë etj. Dmth. ministritë janë shndërruar në ente të papunësisë!
Kjo është e vërteta e politikës së Kosovës sot. Prandaj, ç’mund të pritet nga institucionet relevante të shtetit që drejtohen nga sqimatarët e narcistët, nga batakçinjtë e kukuvriqët, nga karagjozët e snobistët, nga kusarët e zuzarët, nga eristikët e poltronët e të tjerë të këtillë?! Asgjë. Kështu shteti nuk mund të shkojë asnjë gjurmë përpara. Madje janë shumë të arsyeshme reagimet e disa diplomatëve të huaj e shqiptarë sipas të cilëve qeveritarët e tanishëm të Kosovës, me veprimtarinë e tyre të politikës diletante, komike e të ndonjë interesi privat dhe të ngushtë, jo vetëm që nuk janë të përgatitur për ta shpënë përpara zhvillimin e shtetit, por as që janë të aftë ta ruajnë të pacenuar sovranitetin e vendit në kufijtë në të cilët Kosova u pranua shtet! Duket se drejtuesit e shtetit nuk i dinë mirë as kompetencat kushtetuese, prandaj janë të gatshëm të zhvillojnë dialog edhe për territoret e Kosovës që ndërkombëtarisht janë të garantuara si të paprekura!
Në gjuhën shqipe politolinguistika ende nuk është konstituuar si dije e veçantë; ajo nënkupton hulumtimin shkencor dhe ndërtimin e tekstit të komunikimit posaçërisht në fushat e trajtimit të temave politike, diplomatike etj. Andaj, mund të thuhet se disiplina shkencore që ndjek kundrimin dhe zbërthimin e temave të ndryshme nga strategjia e studiuar politike, të cilën e pasqyron me mjete të përzgjedhura gjuhësore të vëna në tekstëzim të patrandur semantik me të cilin (tekstëzim) krijon ide bindjeje dhe zgjidhjeje, emërtohet me termin politolinguistikë.
Komunikimi cilësor i paraprin veprimit të matur politik. Ai krijon opinionin pozitiv për subjektin politik dhe për temën e trajtimit. Politika hartohet, përgatitet, ndikohet, rregullohet, motivohet, kontrollohet, kritikohet dhe pasqyrohet përmes gjuhës, prandaj gjuha e politikës duhet të jetë e përzgjedhur dhe e strukturuar sipas kritereve të pragmalinguistikës, të retorikës, por edhe të shkencave të tjera të komunikimit. A. Burkhardt shkruan: “Das Leben des Politikers ist reden, schreiben, lesen…”: “Jeta e politikanit është të flasë, të shkruajë, të lexojë…” (A. B., Das Parlament…, f. 117) Në Gjermani dhe në shtetet e tjera të zhvilluara zhvillimi i shkencave politike e shpuri përpara edhe komunikimin politik, i cili mund të ngrihet lart, të tumiret nga opinioni dhe të ketë efekt pozitiv vetëm nga oratorët kompetitivë, do të thotë nga oratorët me erudicion dhe elokucion të ngritur.
Politika pa kritere
Por, hëpërhë në skenën politike të Kosovës nuk ka oratorë me intensionalitet, me kapital politik, me erudicion dhe elokucion të lartë të stilit politik, të cilët dinë të reagojnë politikisht në të gjitha situatat dhe propozimet që mund të shtrohen përpara shtetit madje edhe për temat më delikate siç është rasti i “shkëmbimit të territoreve”. Sepse, përderisa në politikë mund të hyjë secili që ka interferenca farefisnore, politike, miqësore etj. me liderët politikë dhe pushtetarët, është alogjike të pritet se në skenën e sotme politike ka politikanë të lartë politikisht të ngritur, por edhe korrektë për t’i neutralizuar e për t’i hedhur poshtë me dëshmi të pakontestueshme që i ka Kosova, tendencat e temat që prekin sovranitetin territorial të shtetit. Për sovranitetin e shtetit jo vetëm që nuk mund të bëhet kompromis, por as nuk duhet të pranohet të shtrohet si temë trajtimi. Vetëm ata që i besojnë retorikës destruktive e negative mund ta pranojnë diskutimin për sovranitetin e shtetit.
Kështu ndodh kur zhvillohet politikë pa kritere. Prandaj, nuk mund të flitet për komunikimin e matur e politikisht të pjekur në debatet politike, në fjalimet politike, në takimet ndërkombëtare etj.; për këtë arsye nuk është habi që në institucionet shtetërore të vendit shumë shpesh mund të dëgjohen ndërhyrje e grindje të stilit apolitik e antietik. Politolinguistika është shkencë me shumë rëndësi në komunikimin politik dhe veprimi politik është i lidhur ngushtësisht me tekstndërtimin e komunikimit politik. Gjuha, siç shkruan Edelmani është “jo thjesht një lloj veprimi, por çelës i botës për folësin e dëgjuesin”. (Aty.) Komunikimi politik, varësisht nga përmbajtja dhe qëllimi, mund të nxisë përjetime e bindje të ndryshme: raporte miqësie e bashkëpunimi, zgjidhje konfliktesh, tejkalim situatash të ndera, kompromise, paqe, marrëveshje me interes të ndërsjellë ose: mund të krijojë urrejtje mbi baza nacionale, politike, konfesionale, rajonale, sociale, mund të krijojë vatra krize, destabilizim, izolim politik, shkencor, ekonomik, thellim konfliktesh e mospajtimesh, embargo e acarime ndërshtetërore, ndërnjerëzore etj.
Dialogu politik është pjesë e debatit politik, është trajtim i thukët i temës së shtruar nga pjesëmarrësit në debat apo në tribunën politike. Edhe në këso ndërkomunikimesh duhet të mbizotërojë stili persuasiv, etik, stili i vlerave sociokulturore, argumentimi i dështimeve të kundërshtarëve politikë, por pa e cenuar identitetin e folësve, demonstrimi i parashikimeve programore reale për të ardhmen etj.
Komunikimi politik duhet të jetë i ndërthurur me një sistem të pasur shenjash gjuhësore dhe figurash funksionale me anë të të cilave ngrihet meditimi pragmatik i ndjekur nga stili apodiktik dhe koherent rreth temave të shtruara për trajtim. Si kokonstituent i temave duhet të parashtrohet edhe rema madje rema që nuk glorifikon, por që hap shtigje perspektivash e zgjidhjesh të reja në fushën e komunikimit. Kështu komunikimi politik është strukturë specifike e shprehjes së mendimit, strukturë e seleksionuar nga polisemia leksikore e një gjuhe dhe nga ndërlidhja e mjeteve stilistike-gjuhësore e metaforike përkitazi me temën e trajtimit. Ai nuk mund të ketë liri të gjerë inventive sepse komunikimi politik do pragmatikë mbi bazë veprimi për të bindur opinionin e rivalët politikë për krijimin e sendërtimin e realiteteve të spektrit të interesit të përgjithshëm nacional, komunal, shtetëror etj., të cilat realitete hapin shtigje të reja avancimi në fusha të ndryshme zhvillimi. Komunikimi politik duhet të jetë bindës në kuptimin e “ndikimit të njerëzve te njerëzit përmes njerëzve me mjetet e gjuhës”.