Polonia arrestoi 13 aktivistë që tentuan të prishin gardhin në kufi
Polonia arrestoi 13 aktivistë që bënë përpjekje të shkatërrojnë gardhin përgjatë kufirit me Bjellorusinë, i cili është ngritur për të penguar fluksin e migrantëve të paligjshëm.
Shërbimi i Rojes Kufitare të Polonisë tha se të dyshuarit e ndaluar përfshijnë 12 shtetas polakë dhe një shtetas të Holandës.
Polonia dhe Lituania – të dyja vende të Bashkimit Evropian – kanë parë rritje të hyrjeve ilegale nga Bjellorusia, javëve të fundit.
Sipas zyrtarëve të tyre, këto kalime të paligjshme ndërmjetësohen nga regjimi i presidentit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashanka, për shkak të sanksioneve që i ka vënë BE-ja.
BE-ja ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër autoriteteve bjelloruse, për shkak të shtypjes brutale të një lëvizjeje pro-demokratike.
Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, tha se përpjekja e aktivistëve për të shkatërruar gardhin është “absolutisht e papranueshme” dhe shtoi se të gjithë autorët do të përballen me ndjekje të plotë penale.
“Do të reagojmë me vendosmëri të plotë ndaj veprimeve të tilla”, shkroi Kaminski në Twitter.
Minsku është akuzuar për dërgimin e migrantëve nga Iraku, Afganistani dhe gjetkë përtej kufirit.
Në përgjigje, Polonia ka ngritur një gardh me tela gjemborë përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe ka thënë se planifikon të ndërtojë një mur të lartë 2.5 metra./rel./