Polonia arreston gazetarin spanjoll, dyshohet se është spiun i Rusisë

04 mars 2022 | 22:21

Polonia ka arrestuar një gazetar spanjoll me dyshimin se është spiun rus.

I dyshuari, i identifikuar si një “agjent i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU)”, është arrestuar në Przemysl – afër kufirit të Polonisë me Ukrainën, tha sot, 4 mars 2022, Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë  (ABW).

Sipas njoftimit thuhej se ai ishte me origjinë ruse dhe po planifikonte “të shkonte në Ukrainë për të vazhduar aktivitetin e tij”.

I quajtur si Pablo Gonzalez nga avokati i tij, gazetari i pavarur ka punuar për median online Publico dhe kanalin televiziv La Sexta.

“Agjentët e ABW kanë arrestuar një qytetar spanjoll me origjinë ruse… Ai është identifikuar si agjent i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU)”, tha sot ABW.

ABW tha se ai kreu veprime për të cilat përfitonte Rusia dhe udhëtoi në Evropë duke përfituar nga statusi i tij si gazetar.

Avokati i tij, Gonzalo Boye, i tha Reuters se nuk kishte arritur ende të kontaktonte klientin e tij. Ai postoi më herët në Twitter se klienti i tij ishte akuzuar për spiunazh dhe po mbahej në burgun Rzeszoë.

Ministria e Jashtme e Spanjës tha se ishte informuar nga autoritetet polake për akuzat, por nuk mund të jepte asnjë detaj por shtoi se do i ofronte ndihmë konsullore.

“Përpara se të arrestohej ai kishte planifikuar të shkonte në Ukrainë” tha ministria e Jashtme e Spanjës.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme e Polonisë tha se Gonzalez u arrestua mbrëmjen mes 27 – 28 shkurtit në qytetin kufitar Przemysl ku ai kishte qëndruar për disa ditë dhe po përgatitej të udhëtonte në Ukrainë.

Prokuroria e Polonisë tha se Gonzalez ka qenë aktiv në shtete të tjera dhe mbante dy pasaporta, dy karta ID ruse me dy emra të ndryshëm.

Nëse ai shpallet fajtor rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autokolona ruse drejt Kievit është nisur që në 28 shkurt,…