Polonia mbyll kufirin me Bjellorusinë pas përshkallëzimit të krizës me migrantë
Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë më 9 nëntor, pasi migrantët nga ana bjelloruse kanë tentuar të kalojnë përtej ndalesës me gjemba, duke përshkallëzuar krizën me migrantë që ka alarmuar Bashkimin Evropian.
Zyrtarët polakë kanë thënë se bëhet fjalë për mbyllje të pikës kufitare Bruzhi-Kuznica, afër së cilës migrantët kanë ndërtuar kampe.
Qeveria e Polonisë ka publikuar më 8 nëntor, disa incizime në Twitter, në të cilat shihen disa njerëz që tentojnë të kalojnë ndalesat me gjemba.
Ministria e Brendshme në këtë shtet, ka thënë se ka penguar përpjekjet.
Zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller, u ka thënë gazetarëve më 8 nëntor se rreth 3 000 – 4 000 migrantë janë afër kufirit të Bjellorusisë me Poloninë dhe mijëra tjerë janë të gatshëm për ta ndjekur atë rrugë.
“Presim që të ketë përshkallëzim të tillë në kufirin polak në të ardhmen, dhe mund të jetë i natyrës së armatosur”, ka shtuar ai.
Mueller ka fajësuar “njerëzit e lidhur me shërbimet speciale të Bjellorusisë”, për organizim të tentimeve për thyer ndalesën kufitare.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë ka thënë më 9 nëntor se dëshiron ta paralajmërojë paraprakisht anën polake kundër çfarëdo provokimi ndaj Republikës Bjelloruse, për të arsyetuar përdorimin ilegal të forcës kundër personave të paarmatosur, shumica prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Situata e fundit në kufi ka rritur krizën që është prezente në këtë rajon për disa muaj./rel/
Current situation on the Polish-Belarusian border. We are dealing with organised destruction of border fortifications. There are also direct attacks on Polish Border Guards officers, police and soldiers. https://t.co/XS3Ec6dej7
— Chancellery of the Prime Minister of Poland (@PremierRP_en) November 8, 2021