Polonia nis lehtësimin e masave anti-koronavirus
Ministri i Shëndetësisë në Poloni, Lukasz Szumowski, ka thënë se kufizimet e ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit në këtë vend, do të nisin të lehtësohen nga data 19 prill.
“Gradualisht do të nisim ta aktivizojmë ekonominë”, ka thënë ai për mediat polake.
Zëdhënësi i qeverisë, Piotr Muller, ka thënë se kufizimet në dyqane do të hiqen të parat.
Megjithatë, ai i ka thënë Radios së Polonisë se vendimi do të merret të mërkurën ose të enjten, pasi qeveria t’i analizojë të dhënat nga fundjava e Pashkëve.
Nga e enjtja, do të jetë e detyrueshme për secilin në Poloni që të vendosë maskë ose shall në fytyrë kur del jashtë, ka thënë Mulleri.
Deri të hënën mbrëma, Polonia ka pasur 6 934 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 245 pacientë atje kanë humbur jetën.
Të martën, edhe Austria ka nisur lehtësimin e masave të izolimit, duke rihapur mijëra dyqane të vogla.
Lehtësimin e izolimit e ka nisur edhe Spanja, duke i lejuar disa qytetarë të kthehen në punë, ndërsa Danimarka i ka rihapur shkollat për fëmijët e vegjël.
Italia, vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 20,000 viktima nga koronavirusi do t’i lejojë disa firma të rifillojnë operimet nga sot.
Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.