Polonia shkarkon shefin e Eurocorps për çështjen e kundërzbulimit
Komandanti polak i Eurocorps, një grup beteje shumëkombëshe NATO-BE me bazë në Francë, është shkarkuar dhe tërhequr në Varshavë për t’u përballur me një hetim kundër zbulimit.
Ministria polake e Mbrojtjes ka thënë se hetimi ishte për të parë “kontrollin e sigurisë personale” të gjeneral Jarosław Gromadziński dhe për të mbledhur informacione të reja rreth tij.
Varshava ka thënë se njoftoi aleatët e saj “paraprakisht” dhe shkarkimi nuk shkaktoi shqetësim të veçantë.
“Nuk ka asnjë shqetësim mes nesh dhe aleatëve”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i vendit Wladyslaw Kosiniak-Kamysz për kanalin polak të lajmeve TVN24.
Ai e ka përshkruar shkarkimin si një “çështje serioze”, por ka këmbëngulur se hetimi ishte vetëm “një proces sqarimi” pa detajuar se çfarë e kishte nxitur atë.
Polonia ka emëruar gjeneral Piotr Błazeusz si shef zëvendësues për Eurocorps. “Gjithçka po bëhet sipas procedurave”, ka shtuar ministri.
Por një person me njohuri për vendimin për të hequr Gromadziński ka thënë se ishte “një surprizë e madhe” për zyrtarët e lartë të Eurocorps.
Varshava sakaq nuk ka dhënë informacione të mëtejshme në lidhje me “çështjen e ndjeshme” që po shqyrtonte hetimi i kundërzbulimit, sipas burimit.
Ministria polake e Mbrojtjes ka renditur ndërkaq ligje dhe arsye të ndryshme sipas të cilave mund të nisë një hetim i tillë kundërzbulimit.
Një prej tyre është “mbrojtja e informacionit të klasifikuar”.
Gromadziński ka mohuar ndërkohë çdo keqbërje.
“Besoj se procedura e inspektimit e nisur nga shërbimi i kundërzbulimit ushtarak do të përfundojë pozitivisht për mua”, ka thënë Gromadziński.
Ai u caktua qershorin e kaluar për të udhëhequr Eurocorps, i cili ka selinë në Strasburg dhe u krijua në vitin 1992 si një grup beteje franko-gjermane, i cili që atëherë ka përfshirë edhe ushtri nga vende të tjera, përfshirë Poloninë.
Komandanti polak ishte i përfshirë së fundmi edhe në mbikëqyrjen e stërvitjes së ushtarëve ukrainas në Gjermani.
Para se të drejtonte Eurocorps, Gromadziński ishte komandant i trupave polake në Irak dhe Siri.
Gjithashtu shërbeu në shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura polake.
Dhe shkarkimi ka ardhur mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë në Varshavë të lidhura me luftën e Moskës në Ukrainë, duke përfshirë shkeljet e fundit të hapësirës ajrore polake nga raketat ruse.