Pompat e benzinës në Mitrovicë për vazhdimin e punës pas orës 24:00 duhet të bëjnë kërkesë në komunë
Të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, e cila është drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka.
Në këtë mbledhje janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Fillimisht fjalën e mori drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, i cili ka kërkuar nga bordi që të merret një vendim për pompat e benzinës të cilat punojnë nga ora 24:00, kështu që ekzekutivi u pajtua për subjektet afariste të cilat merren me shitjen e karburanteve dhe lubrifikanteve, në rast të zgjatjes së orarit të punës duhet të bëjnë kërkesën sipas rregullores komunale nr. 03/2014 , “Për caktimin e orarit të punës për subjektet afariste në Komunën e Mitrovicës”.
Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka diskutuar për draft-raportin e performancës për inaksimin e të hyrave vetanake, duke thënë se gjatë javës do të mblidhen të gjithë drejtorët dhe do të përpilojnë planin e veprimit për implementimin e të gjeturave nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Ndërsa shefja e kabinetit, Mevlyde Shala, i ka njoftuar anëtarët e bordit lidhur me draft-planin e punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2019, e cila kërkoi nga drejtorët e drejtorive përkatëse që ta plotësojnë me pikat që mendojnë t’i procedojnë për shqyrtim në Kuvend në vitin 2019.