
Pompeo i përgjigjet Koresë së Veriut: Unë mbetem në krye të ekipit negociator
Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se përpjekjet diplomatike të SHBA-së do të vazhdojnë drejt qëllimit të denuklearizimit të Koresë së Veriut, një ditë pasi një zyrtar i Penianit tha se nuk donte më të ulej me të në bisedime.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të negociuar; ndërsa unë do të jem ende në krye të ekipit. Presidenti Trump është padyshim përgjegjës për përpjekjet e përgjithshme, por do të jetë ekipi im”, u tha Pompeo gazetarëve në Uashington.
Ai ka shtuar se diplomatët amerikanë të kryesuar nga Përfaqësuesi Special për Korenë e Veriut, Stephen Biegun, do të vazhdonin përpjekjet për të arritur denuklearizimin e Koresë së Veriut, për të cilën ai tha se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u angazhuar në qershorin e kaluar.
“Unë jam i bindur se do të kemi një mundësi reale për të arritur këtë rezultat”, ka thënë Pompeo në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas bisedimeve me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Japonisë.
Në përgjigje të një pyetjeje, Pompeo ka theksuar se besonte se ishte e mundur të mbante angazhimin diplomatik me Korenë e Veriut edhe pa dhënë lehtësimet e sanksioneve që ai kishte kërkuar.
“Ne do të vazhdojmë të nxitim Korenë e Veriut për të braktisur të gjitha armët e saj të shkatërrimit në masë, programet dhe objektet e raketave balistike”, është shprehur Pompeo.
“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë të gjitha sanksionet mbi Korenë e Veriut dhe të inkurajojmë çdo vend që ta bëjë këtë”, ka thënë ai.