Pompeo: Koreja Veriore duhet të arrijë denuklearizim të plotë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka thënë se takimi i tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Singapor “mund të zhvillohet shumë mirë”.
Zyrtarë nga të dyja vendet janë takuar në Singapor për të bërë përgatitjet e fundit për samitin e së martës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë në një konferencë për medie se përgatitjet “po ecin shpejt”.
“Samiti siguron një mundësi të pashembullt për të ndryshuar trajektoren e marrëdhënieve tona dhe për të sjellë paqe dhe përparim në Korenë e Veriut”, ka thënë Pompeo.
Diskutimet ndërmjet Trumpit dhe Kimit pritet të përqendrohen në armët bërthamore të Phenjanit dhe përpjekjet për denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Por, Pompeo ka thënë se takimi i parë nuk pritet të sjellë ndonjë arritje të madhe dhe shtoi se ai duhet të shërbejë si kornizë për “punën e vështirë që do të pasojë”.
Ai ka thënë se Koreja e Veriut duhet të arrijë denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm dhe se sanksionet nuk do t’i hiqen derisa kjo të mos ndodhë.
“Nëse diplomacia dështon, këto masa do të rriten”, ka thënë Pompeo.
Takimi në Sentosa të Singaporit do të jetë i pari midis një presidenti amerikan dhe një lideri verikorean.