Pompeo për Srebrenicën: Qëndrojmë me ata që kërkojnë drejtësi
Në ditën kur përkujtohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë përmes një deklarate se “populli amerikan i bashkohet popullit të Bosnje dhe Hercegovinës për të nderuar kujtimin e më shumë se 8.000 viktimave të pafajshme”.
“Në historinë evropiane, ky kapitull i dhimbshëm, nuk duhet kurrë të mohohet dhe as të harrohet. Ne qëndrojmë me ata që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të qëndrueshme për ata që punojnë për të nderuar dinjitetin e të gjithë viktimave”, është thënë në deklaratën e Pompeos.
Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit.
Sekretari amerikan, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbesin një partner i palëkundur i Bosnje dhe Hercegovinës duke potencuar se ngjarjet tragjike të së kaluarës “na kujtojnë nevojën për të punuar në unitet për një të ardhme më të mirë, të qëndrueshme dhe të begatë dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”.
“Ndërsa kujtojmë të rënët, ne sot, ritheksojmë angazhimin tonë për të ndërtuar paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin dhe për të siguruar një tragjedi të tillë kurrë nuk mund të ndodhë më”, është thënë në deklaratën e sekretarit Pompeo.
Në masakrën e Srebrenicës forcat serbe kishin vrarë mbi 8 000 burra dhe djem myslimanë. /Rel/