Pompeo publikon sot strategjinë e re të SHBA-së për Iranin
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet që sot të njoftojë lidhur me strategjinë e re amerikane për Iranin.
Ky njëherësh do të jetë fjalimi i tij i parë i madh prej kur ka fituar pozitën muajin e kaluar.
Pompeo do të theksojë “rrugën diplomatike” për arritjen e marrëveshjes së re bërthamore me Iranin.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë javën e kaluar se qasja e re synon të krijojë një “kornizë të kërcënimeve që vijnë nga Irani”.
Fjalimi i Pompeos vjen dy javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr njëanshëm SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se Pompeo është konsultuar me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë para fjalimit të tij.
Ndonëse pa praninë e ShBA-së, vendet e tjera nënshkruese janë zotuar se do ta ruajnë marrëveshjen.
Përveç Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, nënshkruese të marrëveshjes janë Kina dhe Rusia.