Pompeo realizon vizitë të papritur në Irak
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka realizuar një vizitë të papritur në Bagdad, ku është takuar me zyrtarët irakianë dhe ka diskutuar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për sigurinë, duke përmendur ato që i ka cilësuar si aktivitete “përshkallëzuese” të Iranit.
Vizita e Pompeos në kryeqytetin e Irakut ka ardhur një javë pasi Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për pozicionimin e pajisjeve ushtrake në Lindje të Mesme, hap që është konsideruar si përgjigje ndaj kërcënimit me të cilin përballen forcat amerikane dhe aletët e tyre në rajon.
Pompeo ka thënë në Bagdad se inteligjenca amerikane ka qenë “shumë specifike” rreth “sulmeve që janë të pashmangshme”.
Teherani në anën tjetër ka hedhur poshtë raportimet për kërcënime duke i cilësuar po ato si “luftë psikologjike”.
Tensionet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar prej kur presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
Përveç kësaj Trump ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj këtij shteti duke i prekur sektorin e naftës dhe atë bankar.
Pas takimit me presidentin irakian, Barham Salih dhe kryeministrin, Adil Abdul-Mahdi, Pompeo u ka thënë gazetarëve:
“Ne kemi biseduar për rëndësinë që ka Iraku në të garantuarit e sigurisë dhe për mbrojtje të amerikanëve në shtetin e tyre”.
Ai ka thënë se qëllimi i takimit ka qenë për të informuar liderët irakianë për “kërcënimin në rritje që ShBA-ja ka vërejtur në rajon”.
Sa i përket vendimit për të angazhuar forca shtesë në Lindje të Mesme, Pompeo ka thënë se “mesazhi që u kemi dërguar iranianëve ka qenë i qartë” se dhe shpreson që Irani të mendojë dy herë, para se të sulmojë interesat amerikane. /Rel/