Pompeo, sekretari i parë i Shtetit që viziton vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është duke vizituar një vendbanim hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke shënuar vizitën e parë të tillë nga një zyrtar i lartë i ShBA-së. Për vizitën e tij raportuan mediet izraelite.
Pompeo po qëndron në Izrael në kuadër të një turneu disa ditor në Lindje të Mesme dhe Evropë, që e filloi më 14 nëntor.
Udhëtimi në Psagot vjen një vit pasi Pompeo tha se vendbanimet nuk binin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke hedhur poshtë një pozicion të kundërt që ShBA-ja kishte mbajtur prej kohësh.
Deklarata pati zemëruar palestinezët, të cilët kundërshtojnë vendbanimet hebreje në tokën që ata pretendojnë të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm të pavarur.
Pompeo më vonë do të bëjë një vizitë të ngjashme në Rrafshnaltën e Golanit.
Pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Pompeo ka thënë se “sot do të kem një mundësi për të vizituar Rrafshnaltën e Golanit”, territorin strategjik që shteti hebre e okupoi nga Siria në luftën gjashtë ditore të vitit 1967.
Vitin e kaluar, administrata e presidentit, Donald Trump mori vendim për të njohur sovranitetin izraelit në Rrafshnaltën e Golanit, një veprim të cilin Pompeo të enjten e quajti “historikisht të rëndësishëm dhe thjesht një njohje e realitetit”.
Gjatë vizitës në Izrael, Pompeo ka njoftuar Uashingtoni do të përcaktojë si “antisemite” lëvizjen pro-palestineze “Bojkot dhe Sanksione” (BDS), e cila kërkon nga vendet të izolojnë Izraelin për shkak të trajtimit ndaj palestinezëve.
Izraeli e sheh BDS si një kërcënim strategjik dhe e ka akuzuar atë për antisemitizëm, dhe një ligj i miratuar në 2017 lejon Izraelin të ndalojë të hyrjen e të huajve të kanë lidhje me BDS.