Pompeo: ShBA-ja do të punojë me Korenë e Veriut
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë të përkushtuara për të punuar me Korenë e Veriut në sigurimin e paqes në Gadishullin Korean.
Pompeo këto komente i ka bërë në Phenjan gjatë bisedimeve me zyrtarët verikoreanë.
Pompeo ndodhet në Korenë e Veriut për të finalizuar planet për një samit midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Zyrtarët amerikanë ka thënë po ashtu se Pompeo do t’i bëjë presion Koresë së Veriut për të liruar tre shtetas të ndaluar amerikanë.
“Me dekada kemi qenë kundërshtarë. Tani kemi shpresë se mund të punojmë së bashku për ta zgjidhur këtë konflikt, për të zhdukur kërcënimet ndaj botës dhe për ta bërë vendin tuaj me të gjitha mundësitë që njerëzit i meritojnë”, u ka thënë Pompeo zyrtarëve verikoreanë.
Ky është udhëtimi i dytë i Pompeos në Korenë e Veriut këtë vit. (Rel)