Pompeo shpreh mbështetjen e palëkundur të ShBA-së për Ukrainën
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainasë në Kiev, më 31 janar.
Uashingtoni po tregon mbështetjen e tij për Ukrainën, e cila po lufton forcat e mbështetura nga Rusia, në një luftë vdekjeprurëse në rajonet e saj lindore të Donetskit dhe Luhanskit.
“Mbështetja e ShBA-së për Ukrainën është e palëkundur dhe unë synoj ta nënvizoj këtë pasi takohem me drejtuesit e qeverisë ukrainase, për të diskutuar mënyrat se si ne mund të çojmë përpara partneritetin tonë strategjik dhe të forcojmë pozicionin e Ukrainës si një shtet i lirë dhe demokratik”, ka shkruar në rrjetin social “Twitter”, sekretari Pompeo.
Vizita e Pompeos vjen në kohën kur Senati i Shteteve të Bashkuara po gjykon presidentin Donald Trump, i cili është akuzuar nga demokratët për abuzim të pushtetit, duke i bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.
Ukraina mbështetet shumë në ndihmën ushtarake dhe politike të ShBA-së.
Më shumë se 13 000 njerëz janë vrarë në konflikt që nga prilli i vitit 2014.
Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës. në mars të vitit 2014, një veprim që nxiti reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
“Krimea është pjesë e Ukrainës dhe ne kurrë nuk do ta njohim përpjekjen e Rusisë për ta aneksuar atë”, është thënë në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Pompeo, i cili ka filluar turneun e tij rajonal në Londër, do të udhëtojë gjithashtu në Bjellorusi, Kazakistan dhe Uzbekistan.