Pompeo viziton Kroacinë, paralajmëron heqjen e vizave për kroatët

02 tetor 2020 | 17:08

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, arriti në Dubrovnik të Kroacisë në kuadër të një turneu evropian.

Pompeo u ka thënë gazetarëve se ai ka dalë negativ për koronavirus dhe se ai ndihej mirë. Komentet për shëndetin e tij janë bërë pasi të premten në mëngjes, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, u testuan pozitiv për koronavirus.

Pompeo, gjatë qëndrimit në Dubrovnik është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Sekretari amerikan i Shtetit, ka thënë se qytetarët kroatë së shpejti do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa viza.

“Ka ende punë për të bërë, dokumentet, çështjet administrative duhet të zgjidhen, disa duhet t’i bëjmë ne, edhe disa u takojnë kroatëve”, ka thënë Pompeo, transmeton agjencia kroate “Hina”.

Pompeo gjithashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Kroacia të mos u dorëzojë projekte strategjike kinezëve, sepse siguria kombëtare duhet të jetë një përparësi dhe nuk duhet të rrezikohet.

Pompeo është zyrtari më i lartë i administratës amerikane që viziton Kroacinë, që kur Donald Trump u bë president. Në Kroaci, më 2012 kishte qëndruar ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e cila ka qenë e…