Ponosheci i jep përkrahje Hisen Berishës
Kandidati për deputet nga PDK-ja me numër 67, Hisen Berisha, ka marrë përkrahjen e banorëve të Ponoshecit për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Rrënz Koshares, aty ku liria u skalit me gjakun e dëshmorëve, shtrihet fshati Ponoshec, një vend që, ashtu siç bashkoi pushkët për liri, sonte dha zotimin e tij për të bashkuar votën për fitoren e PDK-së dhe të Kosovës. Kjo trevë pjellore, e njohur për tokën e saj të begatë dhe njerëzit e saj të palodhur, në programin qeverisës të PDK-së e sheh perspektivën e zhvillimit dhe mundësitë për një të ardhme më të mirë. Vizionet tona për fuqizimin e ekonomisë, mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin e zonave rurale janë themeli i planeve që synojnë të krijojnë më shumë mundësi dhe mirëqenie për çdo familje”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Në mesin e shumë bashkëluftëtarëve, miqve dhe dukagjinasve që më qëndruan pranë gjatë viteve të luftës dhe paqes, ndjeva përkrahjen dhe vlerësimin për angazhimin tim në legjislaturën e fundit, si dhe mbështetjen e tyre të palëkundur për të qenë zëri i tyre në Kuvendin e ardhshëm. Faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj! Ponosheci dhe gjithë Dukagjini janë shembull i forcës së bashkimit dhe shpirtit të pathyeshëm për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të sigurt e më të mirë”.