Popovci: Të ndërhysh në Këshillin e Cilësisë është si të ndërhysh në punën e gjykatave
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci ka deklaruar se mosakreditimi i tri universiteteve publike dhe disa kolegjeve për një vit, është mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë, derisa ka shtuar se disa nga politikanët kanë interesa biznesore në këto institucione arsimore, e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë.
Popovci duke komentuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka thënë se nuk është befasuar, pasi ka qenë një numër i konsiderueshëm i institucioneve te arsimit të lartë kanë probleme me përmbushjen e standardeve të caktuar.
Ai ka thënë se në Këshillin Shtetëror të Cilësisë ka nisur një vendimmarrje e pavarur, duke marrë vendimin për mosakreditimin e tri universitete publike dhe disa kolegjeve.
Popovci në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se institucioneve të paakredituara iu është refuzuar akreditimi për një vit, që do të thotë se studentët ekzistues mund të vazhdojnë studimet por ato institucione nuk mund të regjistrojnë student brenda këtij viti
Popovci duke komentuar deklaratat e ministrit të Arsimit, Shyqeri Bytyqi për anëtarët e Këshillit, ka thënë se nuk sheh që ka konflikt interesi, por nëse ka ekziston rruga juridike.
Sipas tij, një ndërhyrje në vitin 2017, ka kushtuar me përjashtim nga EQAR-i dhe me degradim të statusit të agjencisë në ENKA, nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën vëzhgim dhe është në proces të vlerësimit.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se të ndërhysh në Këshillin Shtetëror të Cilësisë është si të ndërhysh në punën e gjykatave.