Popujt pa memorie historike nuk kanë të ardhme
Prof. Lisen Bashkurti
Si sot 80 vjet më parë, më 7 prill 1939, Shqipëria u sulmua nga fashizmi italian. Ishte nder vendet e para viktimë e aksit Nazi-Fashist Romë-Berlin-Tokio.
Fashistët italianë u priten me rezistencë popullore. Patriotët e mëdhenj Mujo Ulqinaku, Abaz Kupi dhe mijëra të tjerë, ndonëse të braktisur nga regjimi shqiptar i kohës, rezistuan me armë në dorë kundër sulmit fashist.
Brenda pak javësh rezistenca popullore u ngrit nga guerilasit, te çetat patriotike e deri në organizimin kombëtar antifashist ushtarak në shkallë vendi.
Pak kohë pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rendit në Aleancën Antifashiste Botërore, në krah të ShBA-së, BRSS-së dhe Britanisë së Madhe.
Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria ishte nga vendet dhe popujt me humbjet me të mëdha njerëzore dhe materiale. Por ato humbje sollën lirinë, rikthyen pavarësinë dhe dinjitetin e një populli të vogël, të vjetër, trim dhe të paepur.
Prindërit tanë luftuan dhe sakrifikuan shumë në Luftën e Dytë Botërore. Vepra e tyre mbetet një faqe e ndritur e patriotizmit sublim për Atdheun.
Ja përse shqiptarët lypet të kujtojnë gjithnjë 7 prillin 1939. Memoria është mënyra e mbajtjes gjallë të kombeve e popujve. Memoria historike na jep mësime që të mos përsëritim të njëjtat gabime. Memoria u përcjell brezave përvojat e paraardhësve të tyre. Memoria është e kaluara që rron.
Është provuar se popujt pa memorie nuk kanë të ardhme. Ky postulat është i rëndësishëm sidomos për brezat e rinj të kohës sonë dhe të atyre që do të vijnë në të ardhmen.