Populistët e Evropës përdorin atentatin ndaj Trumpit për të goditur të majtët
Pas atentatit në të cilin mbeti i plagosur në vesh ish-presidenti Donald Trump, politikanët populistë të Evropës nuk kanë shpenzuar kohën për të gjetur fajtorin.
Nuk dihet shumë për të dyshuarin që shtiu në drejtim të Trumpit dhe motivet e tij ende po hetohen. Ama pak orë pas incidentit, kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili i mbijetoi një atentati në muajin maj – ka kritikuar “kundërshtarët politikë” të Trumpit për nxitjen e urrejtjes ndaj tij, shkruan revista e njohur “Politico”.
Kritikët e ish-liderit amerikan “po tentojnë të ta rrëzojnë dhe kur nuk kanë sukses zhgënjehen aq shumë sa një i dështuar rrok armën në dorë”, pashkruar Fico në një postim në Facebook.
Duke fajësuar liberalët dhe mediat kryesore për atentatin, aleati i kamotshëm i Trumpi dhe lideri i partisë “Reforma” në Britani, Nigel Farage është shprehur i zhgënjyer, por jo i befasuar nga sulmi, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Narrativa që është vendosur për Trumpin nga këtë liberalët që e kundërshtojnë atë është e pistë, e papëlqyeshme, dhe mendoj se gati inkurajon këtë lloj të sjelljes”, ka thënë ai.
Geert Wilders, i cilësuar si Trumpi i Evropës për shkak të qëndrimeve politike, por edhe për pamje, ka thënë se “retorika e urrejtjes nga shumë politikanë të majtë dhe media, të cilët i cilësojnë politikanët e krahut të djathtë si racistë dhe nazistë”, “po luajnë me zjarrin”.
Disa figura politike në Evropë aluduan për komplot global, duke i cilësuar mediat dhe partitë e majta si bashkë-komplotiste.
Udhëheqësi i partisë së djathtë ekstreme “Vox” në Spanjë, forca e tretë politike në parlamentin spanjoll, ka thënë se atentati ndaj Trumpit ishte orkestruar “nga e majta në botë që po përhap urrejtje dhe luftë”.
Santiago Abascal e ka akuzuar qeverinë e koalicionit të krahut të majtë se është aleate me të njëjtin rend global, duke shtuar se udhëheqësit e Spanjës ka mundësi që të pendohen që vrasësi ka dështuar. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sancehz e ka dënuar menjëherë sulmin ndaj Trumpit.
Nuk qe ndryshe as në Itali. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini për atentatin fajësoi “disa tone të dhunshme të së majtës”.
“Ka ndodhur në SHBA, ka ndodhur edhe në Itali ndaj Berlusconit”, ka thënë ai, duke iu referuar sulmit ndaj ish-kryeministrit Silvio Berlusconi në vitin 2009.
Udhëheqja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, e cila javën e kaluar e krahasoi aleancën e krahut të majtë me protestuesit e 6 janarit që sulmuan Kapitolin në SHBA gjatë janarit të vitit 2021, ka thënë se atentati ishte “paralajmërim për të gjithë ne”, teksa ka shtuar se “Franca nuk është e sigurt nga kjo dhunë”.