POPULL I SËMURË

12 tetor 2018 | 15:31

Berat Armagedoni

Sot, njërën për dert (të Ortopedisë) e pesë a gjashtë të tjera për qejf, i vizitova klinikat e Qendrës Universitare të Kosovës. Janë bërë shumë ndryshime, për të mirë, në secilën klinikë të kësaj qendre. S’po dua ta lavdëroj tash punën e ministrit Uran Ismaili, se asgjë s’po më duhet as ai, as partia e tij. Po, mençur dhe mbarë në mjekësi kanë punuar, dorën në zemër! Më mirë se cilido ministër i mëparshëm i cilësdo parti që ka qenë ai. Për shkak të masave më të rrepta nga ministri i ri dhe nga drejtorët e klinikave, tashmë në to ka njëfarë rendi “ushtarak”: mjekët vijnë me kohë (vonohen krejt pak, se ka turli nevojtari që i ndal edhe në rrugë), objektet dhe kushtet higjienike janë më të mira edhe sesa te shumë privatë, rendi të vjen kur e kryen ai para teje, hyn e bën kontrollin si zotëri dhe del jashtë pa të këqyrë kush shtrembër e pa ta lëshuar ndonjë kunj pas ose ndonjë të sharë nëpër dhëmbë. Nëse s’dëshiron të komunikosh me askënd, në të katër anët e mureve të objekteve të klinikave ke monitorë të cilët veç sa nuk të kapin për hunde e veç sa nuk nxjerrin zë për të treguar kah duhet të shkosh dhe ku duhet të presësh.

Pas gjithë këtyre të mirave bërë aty, e keqja është më e madhe: klinikat ishin mbushur me të sëmurë, me sëmundje të ndryshme, nga më e lehta e deri te më e shpeshta dhe më e keqja. Thua ti se e gjithë Kosova ishte aty. Krahas kësaj të keqe të papërballueshme, një e metë tjetër ishte pritja e gjatë derisa të dalësh nga oborri i Qendrës Universitare dhe pagesa e lartë që duhej ta bëje te dalja: 0.50 centë, gjysmë ore; 1 euro, një orë; 1.5, një orë e gjysmë; 2 euro, dy orë; tri euro, tri orë e kështu, çdo euro për nga një orë. Kështu që, nëse dëshironi të paguani pak, kryeni punë shpejt dhe ikni prej aty. Nëse nuk keni rast urgjent, veturën mund ta parkoni te objekti i “Interex”-it që, hëpërhë, e keni pa pagesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Bylbyl Sokoli nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka falënderuar…