POPULLI SHQIPTAR DHE LUFTA E TIJ E ORGANIZUAR PËR LIRI E PAVARËSI KOMBËTARE

13 shtator 2023 | 21:09
POPULL ME HISTORI TË LAVDISHME
Shumë herë gjatë historisë, populli shqiptar është hedhur në luftëra e beteja të mëdha me armiqt e trdhtarët, por fitoret dhe sukseset e shënuara, për shkak se ORGANIZIMI nuk ka qenë në nivel, kanë shkuar në duart e pushtuesve dhe klikave të ndryshme antipopullore!
Kur kujton, shfleton, lexon ose studion librin e madh të historisë së popullit shqiptar, popullit më autokton në Ballkan dhe Evropë e ndoshta edhe më gjerë, disponimi nuk të është i njëjtë dhe kjo, jo vetëm pse ke në duar librin e historisë dhe në të ndeshesh me ngjarje të ndryshme( ngase kjo është e natyrshme dhe fare e logjike), por pse ndeshesh me historinë më të lavdishme të njërit prej popujve me qytetrim të lashtë, të guximshëm, luftarak, të pamposhtur e të papërkulur, por edhe me historinë më tragjike të njërit prej popujve që më së shumti ka vuajtur gjatë ekzistencës së vet, që e kanë shpërngulur me dhunë nga trojet e të parëve, që e kanë vrarë, masakruar, terrorizuar, asimiluar e çka nuk i kanë bërë, dhe që si feniks ka mbijetuar mbi të gjitha kurthet që i janë ngritur nga armiqt e ndryshëm dhe tradhtarët!
Një popull siç është ky populli ynë, me kulturë të lashtë, me guxim e trimëri të dëgjuar e të dëshmuar në sa e sa luftëra e beteja për liri e indipendencë kombëtare, të vuaj e të heqë kaq shumë, kjo s`ka se si të shpjegohet, s`ka se si të justifikohet përpara askujt, dhe është për të të ardhur keq, dhe shumë bile!
Jo njëherë gjatë historisë së tij të famshme e të lavdishme, populli ynë është hedhur në luftëra e beteja të panumërta e të përgjakshme, për të mbrojtur e për të çliruar Atdheun, por mjerisht gjithashtu, jo njëherë frytet e luftës dhe përpjekjet e tij vigane e titanike, i kanë vjelur, korrur dhe shfrytëzuar të tjerët.
Ata që më së paku e meritonin!
Fitoret dhe sukseset e shënuara kanë shkuar në duart e pushtuesve dhe klikave të ndryshme antipopullore, këtë na e mëson historia jo vetëm e popullit tonë!
Në ç`momente, kur dhe pse ka ngjarë kështu shtrojmë pyetjen?
Përgjigja do të ishtë: Ngjante kështu atëherë kur mbretronte një disponim i theksuar antishqiptar i qarqeve reaksionare, kur nuk kishte një subjekt politik të aftë e të organizuar që të mobilizonte shtresat e gjera të popullsisë, kur mungonin udhëheqësit popullor që dinin se ku duhej shkuar e e ç`far duhej bërë, si ta shpienin popullin drejt rrugëve e shtigjeve të sigurta, por edhe për faktin më relevant, se populli ynë nuk ishte i organizuar sa dhe si duhet, hiq këtu luftërat kundër pushtuesve osman gjatë epokës së Skënderbeut dhe asaj kundër nazi-fashistëve gjatë LNÇ-së!
Edhe nëse është arritur të mbroheshin kufinjtë, të dëboheshin jashtë tyre armiqt e ndryshëm që është e vertetë e pamohueshme, ose edhe të çlirohej ndonjë krahinë etj., pushteti nuk ka qenë e mundur të merrej, që ishte (ashtu siç është edhe sot e tutje), aq shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për të prosperuar e për të shënuar suksese të mëdha në qdo fushë të jetës, punës e luftës!
Kjo e kaluar, kur mendojmë seriozisht për të ardhmen e çështjës së popullit dhe të Atdheut tonë të dashur e të shtrenjtë, na e bënë të domosdoshme të shtrojmë pyetjen:
SA ISHTE I ORGANIZUAR NË TË KALUARËN POPULLI SHQIPTAR?
Është kjo një pyetje që në vetvete ngërthen një lëndë të pasur, të gjerë, të shumëllojshme, të komplikuar e me interes të gjithanshëm kombëtar, shkencorë e shtetrorë!
Është kjo njëra nga ato pyetje që kur e kujton të ngjallë ndjenjën e krenarisë por edhe të zhgënjimit, të fitores por edhe të disfatës, të knaqësisë por edhe të hidhërimit, sepse populli shqiptar gjatë tërë historisë së ekzistencës së tij ishte por edhe nuk ishte i organizuar!
Të shtruarit e kësaj pyetje sot, kur populli shqiptar është duke bërë orvatjet gati maksimale për t`i gjetur dhe krijuar rrugët e mundëshme dhe të sigurta drejt lirisë dhe pavarësisë së popullit e Atdheut, merr rëndësi të veqantë dhe të shumëfisht, dhe çdo përgjigjje e drejtë dhe e saktë, e arsyeshme dhe logjike, do të ishte njëkohësisht edhe rrugëzgjidhje për të sotmen dhe të nesërmen, përgjigje kjo që do të ishte udhërrëfim real dhe jo i mbështetur në utopi!
Që kësaj pyetje t`i jepet përgjigjje ekzakte dhe e merituar, gjë që është edhe e domosdoshme dhe e nevojshme, pyetje kjo nga më kredinalet për nga rëndësia dhe vlera, më së miri do të kishte qenë që të organizohej një simpozium, konferencë a tribunë shkencore, apo edhe Kuvend Kombëtar, pasi që mundësitë për një takim të një rëndësie të këtillë ekzistojnë, dhe aty të bëhet bilanci i së kaluarës jo vetëm organizative!
Mirpo meqë jetojmë në konditat për të cilat të gjithë jemi koshient, se të ç`natyre janë, nuk do të jetë ndonjë gabim i pafalshëm nëse bëjmë një përpjekje modeste për të sjellur sado pak diç të re në këtë drejtim!
Kur shtrojmë këtë pyetje dhe si përgjigje të themi se populli shqiptar gjatë tërë ekzistencës së tij shekullore e mijvjeqare, e gjatë atyre luftërave e betejave të mëdha e të lavdishme që i ka zhvilluar në mbrojtje të kulturës së tij shpirtërore e materiale, luftëra e beteja të cilat ishin edhe barikadë e pakalueshme drejt shkatërrimit të qytetrimit evropian, se nuk ka qenë i organizuar mirë, sa dhe si duhet, se ka pasur shkallë të ulët të unitetit, veprimit e mendimit, është njësoj sikur të thuash se populli shqiptar gjatë tërë ekzistencës së tij ishte agresor, vrasës e masakrues, në kohën kur gjithmonë ka zhvilluar luftëra mbrojtëse e ka qenë i sulmuar, i vrarë e i masakruar nga të tjerët!
Por gjithashtu, të thuash, se populli shqiptar në çdo kohë e në çdo periudhë të ekzistencës së tij ka qenë i organizuar mirë e me shkallë të lartë, mendimi e veprimi, është poashtu njësoj sikur të thuash se populli shqiptar ka jetuar në bollëk e i rrethuar nga të gjitha llukset, në kohën kur ka qenë i varfër materialisht, kur është shfrytzuar tmerrësisht nga të tjerët, kur ka hequr të zitë e ullirit etj., etj., d.m.th. të mos kesh forcë e guxim ta thuash të vërtetën ashtu siç ka qenë e siç është!
Në vitin 1444, kur Skënderbeu erdhi në ballë të udhëheqjes së Arbërit, populli shqiptar u këndell, mblodhi forcat, kreu aktin e madhërishëm të bashkimit e pajtimit kombëtar( akt i cili shërbeu dhe u tregua si kushti i vetëm i mundshëm për të ecur përpara, përvojë nga e cila duhet patjetër të nxerrim mësimet e duhura ), rriti unitetin, ngjeshi radhët, mobilizoi të gjitha forcat e afta dhe të shëndosha etj., dhe jo rastësisht u bëri ballë sulmeve të shumta e të pandërprera, për 25-vjet rresht të ushtrisë më moderne të asaj kohe, Perandorisë Osmane!
Një rol të rëndësisë së veqantë, luajti Kuvendi kombëtar i Lezhës, në të cilin u hodhën themelet e bashkimit, unitetit dhe pajtimit kombëtar, unitet ky që më vonë do të rrezatojë me forcë, tërë zingjirin e luftërave për liri e pavarësi kombëtare!
Luftëra e beteja të shumta e të përgjakshme u zhvilluan kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane!
Populli ynë në të gjitha ato luftëra e beteja titanike doli fitimtar dhe i pamposhtur, dhe kjo jo vetëm pse bënte luftë të drejtë e mbrojtëse, por parasëgjithash e mbi të gjitha, pse faktorit POPULL, i ishte dhënë vendi i merituar, pra faktorit të mbrendshëm i ishte dhënë vendi i merituar, por edhe i jashtmi nuk ishte lënë pas dore, d.m.th. nuk ishte injoruar!
Në radhët e popullit tonë manifestohej një përgjegjësi e lartë kombëtare, njerëzore e morale!
Kishte një organizim të shëndoshë, një disciplinë të lartë dhe të hekurt ushtarake e popullore!
Organizimi shembullor dhe disciplina e çeliktë që manifestohej në radhët e ushtrisë shqiptare më në krye Gjergj Kastriotin legjendar, bëri që t`i shkonte nami në të katër anët e botës!
Pas vdekjes së Gjergjit të lavdishëm, lufta dhe përpjekjet e popullit tonë filluan të dezorganizoheshin në të gjitha frontet!
Kjo u pa veçantërisht më 1478/79, kur kështjella e fundit e qëndresës së popullit shqiptar, kalaja e Shkodrës ra në duart e pushtuesve turq, përfundimisht u shënua robërimi i tërësishëm i tokës arbërore!
Që nga kjo kohë përpos fillimit të vështirësive të tjera të panumërta, daton edhe njëra nga plagët tona më të mëdha, shpërngulja e shqiptarëve, të cilët në mënyrë masive i mësynë brigjet e Italisë e të vendeve tjera të Evropës e të botës!
Në mos i pari, bëjmë pjesë në mesin e atyre popujve që më së shumti jemi shpërngulur nga trojet tona!
Dhe përpos faktit se shpërngulja ishte pasojë dhe shkak i rrethanave të vështira për jetë, të cilat vinin si reaksion i pushtimit dhe robërimit të vazhdueshëm, kjo ndodhi edhe pse nuk ishim të ORGANIZUAR sa dhe si duhet për të mbrojtur e çliruar Atdheun nga invazioni i huaj!
Pra, shpërngulja pasonte (ashtu siç ndodh edhe sot në kohën tonë), jo vetëm pse ishte bërë e pamundur jeta në Atdheun e pushtuar, por edhe pse nuk ishim të organizuar që t`u perballonim vështirësive e furtunave, që sillte me vete egërsia e pushtuesve dhe tradhtarëve!
Edhe më herët, por pikërisht nga kjo periudhë, pra, pas vdekjes së Skënderbeut e pas humbjes së pavarësisë kombëtare, nisin të kqëijat e njëpasnjëshme për popullin tonë!
Nisë periudha kur populli ynë me gjithë përpjekjet e parreshtura për t`u organizuar, nuk arriti të bëhej si një trup i vetëm dhe i bashkuar si që moti, t`u dilte para të kqijave që i kanoseshin Atdheut, prandaj dhe të kqijat rrodhën varg e vijë!
Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit e cila pati jehonën e vet deri në përmasa ndërkombëtare, populli ynë nuk arriti të shënonte sukses të plotë në luftën dhe përpjekjet e tij, sepse me gjithë faktin se futi dhe ngjalli shpresën për liri dhe pavarësi te të gjitha shtresat e popullit, lufta nuk u fitua, dhe si rrjedhim as vendi nuk u arrit të çlirohej!
Dhe kjo ngjau për shumë arsye, por edhe për faktin se mungoi një subjekt politik i aftë e mobilizues, si dhe nuk pati një organizim që e kërkonte lufta për t`u përballuar presioneve nga jasht e brenda!
Edhe ai mobilizim që u arrit, edhe ato suksese që u shënuan, ishin vazhdimësi e traditës së luftërave dhe përpjekjeve shekullore liridashëse, si dhe u shënuan kryesisht në saje të autoritetit të influencës që kishin udhëheqësit në popull, e jo në saje të një ORGANIZIMI të mirëfillt, të shëndoshë, e të qëndrueshëm etj…
Edhe luftërat e betejat pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u zhvilluan, nuk patën suksese të dëshiruara që synoheshin, dhe kjo për arsye se asnjëherë nuk u arrit që lufta të organizohej dhe të udhëhiqej nga një udhëheqje largpamëse, e aftë dhe besnike deri në fund, që të dinte të shfrytzonte koniukturat politike kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe nuk pati shtrirje në çdo skaj të Atdheut, sepse nuk kishte një mobilizim total të të gjitha shtresave, dhe s`mund të kishte, ngase mungonte ORGANIZIMI, injorohej faktori i brendshem e mbivlerësohej ai i jashtmi, ose e kundërta etj…
Viti i pavarësisë shqiptare solli me vete një shkallë më të lartë organizative, një sukses më të madh diplomatik, solli një udhëheqje me sens më të madh politik se sa ato të mëparshmet, dhe në saje të kësaj edhe u shënua suksesi i madh historik, SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHTETIT SHQIPTAR!
Edhe gjatë asaj periudhe vendi nuk u arrit të çlirohej plotësisht, pushteti nuk u arrit të merrej në të gjitha krahinat shqiptare, prandaj dhe nuk u arrit të mbahej dot!
Dhe kjo përpos presionit e luftërave që vinin nga jashtë, dhe në radhë të parë nga shtetet fqinjë, edhe për faktin se nuk ishim të organizuar sa e si duhet, madje edhe të përçarë mes veti!
Padrejtësia historike që iu bë popullit tonë, nuk ishte rezultat i vetëm i armiqësisë që kishte ndaj shqiptarëve Evropa!
Por, pse shqiptarët ishin të paorganizuar e si rrjedhim nuk bënin as luftë unike e të përbashkët në mbrojtje të kufinjëve e për çlirimin e Atdheut në nivel kombëtar!
Pushka e lirisë kur kërciste në Vlorë e Prizeren, Mitrovicë e Gjirokastër, Korçë e Kaçanik, nuk oshëtinte në viset tjera dhe anasjelltas etj., etj…
Edhe Lëvizja kaçake me gjithë rëndësinë e vet që ka në historinë e popullit tonë si lëvizje çlirimtare, nuk ishte e organizuar mirë e në nivel kombëtar, dhe si rrjedhim edhe nuk shënoi ndonjë sukses të përmasave të mëdha kombëtare!
Siç e shohim në bazë të kësaj kronologjie që ndoqëm, me të kaluar të këtillë organizative, në pozita të varfërisë së madhe, të shfrytëzimit deri në palcë, të anarkizmit thuaja total, të pasivitetit gati të plotë, të përqarjes e të amullisë kombëtare e gjeti popullin shqiptar pushtimi fashist italian dhe Lufta e Dytë Botërore!
LUFTA NACIONAL ÇLIRIMATRE- LUFTA MË E ORGANIZUAR
Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare përbënë njërën nga epopetë më të mëdha e më të lavdishme në zingjirin e luftërave dhe përpjekeve që i ka zhvilluar populli shqiptar gjatë historisë së tij shekullore për liri, pavarësi kombëtare, njerëzore, kulturore, përparim shoqëror e shtetëror!
Për herë të parë populli shqiptar pas epokës së ndritur e të lavdishme të Skënderbeut, doli në tribunën e historisë dhe me tërë forcën e tij të madhe e kolosale që e karakterizonte, e tha fjalën e vet, luftoi me heroizëm e trimëri ashtu siç di vetëm populli, që në vetvete përmbanë e disponon energji kolosale e të pashterrshme, mposhti armiq e tradhtarë, dhe jo rastësisht morri pushtetin dhe u bë zot i fateve të veta!
Krijoi pushtetin dhe qeverinë e vet, të cilën ia njohu dhe pranoi tërë bota, që për historinë e re të shtetit shqiptar, paraqet një sukses të madh dhe kulminant!
Deri më sot në historinë e popullit tonë LNÇ, është ndër luftërat më të organizauara në përmasa kombëtare, me unitet e disciplinë të çelikt!
Gjatë kësaj lufte për herë të parë populli pati një udhëheqje që ishte e dashur për të, prandaj dhe fjala e saj dëgjohej e respektohej, vendimet që merrte ajo, populli i ekzekutonte me përpikmëri e frymë të lartë përgjegjësie!
Në këtë luftë u pa të manifestohej një mobilizim total i të gjitha shtresave, dhe kjo ishte rezultat i udhëheqjes së menqur, te drejtë e largpamëse!
Mbi 70-të mijë luftëtarë lirie numëronte ushtria shqiptare, dhe kjo është njëra nga dëshmitë më të pakontestuara që dëshmon në mënyrë ekzakte se ç`mobilizim e frymë e lartë gatishmërie mbretëronte në atë kohë, e ç`organizim i fortë dhe i përpikt ishte!
Në këtë luftë nga më të lavdishmet, populli fitoi lirinë për të cilën ishte derdhur aq shumë gjak, populli fitoi pushtetin politik aq shumë të dëshiruar e pritur, të arritura këto e shumë të tjera që ishin ëndërr e sa e sa gjeneratave të tëra të luftëtarëve të lirisë!
Por kështu nuk ndodhi me popullin shqiptar nën ish-Jugosllavinë, i cili edhe pse luftoi e sakrifikoi mjaft shumë gjatë LNÇ-së, derdhi gjakun pa u kursyer dhe i dha luftës për liri 6002 dëshmorë, nuk arriti të fitonte lirinë e të bashkohej me Shqipërinë Nënë, sepse përpos tradhëtisë që iu bë nga ana e PKJ-së dhe ‘’komunistëve’’ jugosllav, nuk kishte një udhëheqje siç e kishte Shqipëria, nuk ishin shfrytëzuar prerogativat e koniukturave politike ndërkombëtare që ishin krijuar për Ballkanin dhe Evropën, ashtu siç kishte vepruar udhëheqja shqiptare e Shqipërisë etj., etj…
Nga e gjithë ajo që u tha deri më tani del se: atëher kur populli shqiptar u organizua e ngjeshi radhët, atëherë nuk mungoi edhe suksesi e fitoret!
Por historia dëshmon bindshëm se populli ynë me gjithë përpjekjet e pandërprera që i ka bërë për t`u organizuar, më tepër ka qenë i dezorganizuar e në mëshirë të fatit, se sa e kundërta, ndryshe si mund të arsyetohen gjithë ato tragjedi, masakra e tmerre kombëtare?!
Si mund të arsyetojmë shpërnguljen masive?!
Si mund të arsyetojmë vëllavrasjen, që kishte mbërthyer si darë e hekurt trupin plot plagë të Atdheut?!
Si mund të arsyetohen përçarjet?! etj., etj…
E KALUARA ORGANIZATIVE E POPULLIT SHQIPTAR NË ISH-JUGOSLLAVI
Që më 1913, kur Fuqitë e mëdha pa përfillur e kundër vullnetit politik të popullit shqiptar, vendosën në mënyrë arbitrare ndarjen dhe coptimin e tij, dhe Kosovën e viset e saja ia aneksuan Serbisë e Malit të Zi, që nga kjo kohë nisë një periudhë dhe kapitull i veqantë i historisë së luftërave për liri e bashkim kombëtarë të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve!
Me gjithë përpjekjet e mëdha e titanike që i ka bërë populli ynë, asnjiherë ashtu siç na është njohur të gjithëve, kurrë nuk arritëm të çliroheshim e lëre më të bashkoheshim me Shqipërinë Nënë!
Pse të ndodhë kështu do të pasonte pyetja?
Përgjigja do të ishte: Për shumë arsye e shumë faktorë relevant, por edhe për faktin se nuk ishim të organizuar sa duhej për t`u çliruar nga zgjedha e huaj!
Populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saj, e ka pasur ashtu siç e ka edhe sot, të domosdoshme rrezistencën e organizuar çlirimtare, sepse shovinistët serbo-malazez, e më vonë edhe ata maqedon e armiq të tjerë në kor të përbashkët më tradhëtarët, kanë vepruar vazhdimisht në dëm të interesave të tij në çdo sferë!
Por me gjithë këtë presion të pandërprerë që është ushtruar mbi të, që në një mënyrë ka qenë dashur të shërbej si stimulim për t`u organizuar, populli ynë asnjiherë nuk arriti të zhvillonte luftë të organizuar e njëkohësisht të kishte një udhëheqje të aftë, largpamëse e komplete, që të përmbushte të gjitha kriteret e nevojshme e ta shpiente atë rrugëve e shtigjeve të sigurta të pavarësisë e lirisë!
Ashtu siç mësojmë nga historia, janë mbajtur shumë Kuvende, Konferenca, Kongrese e takime të ndryshme, objektiv kryesor i të cilave ka qenë, që të shtoheshin e të rriteshin përpjekjet për të luftuar të bashkuar e në unitet të plotë mendimi e veprimi!
Poashtu janë formuar partie organizata të ndryshme, të djathta, të qendrës e të majta, qëllimi imediat i të cilave poashtu ka qenë:
TË BËHET LUFTË E ORGANIZUAR, UNIKE PËR ÇLIRIM E BASHKIM KOMBËTAR
Sukseset e dëshiruara kanë munguar, dhe kjo për shumë arsye, por edhe pse nuk kishte organizim të shëndoshë, pse faktorit popull nuk i është dhënë vendi i merituar, por edhe më keq në disa raste edhe është injoruar roli i tij etj., etj…
Lufta e Dytë Botërore, popullin shqiptar të Kosovës e gjeti nën shtypjen e rëndë dhe robërinë serbo-malazeze!
Kur vëmendja e pushtuesve serbo-malazez u zhvendos nga Kosova në drejtim të fashisto-nazistëve, marrja frymë më lirisht e popullit tonë u përjetua si ‘’çlirim’’!?
Ky ‘’çlirim’’ i çastit kishte një bazë deri dikund, por që ishte utopi e naivitet politik kjo s`do koment!
S`do koment, sepse ta konsiderosh se ta solli lirinë dhe pavarësinë, fashisti italian dhe nazisti gjerman, në kohën kur këta ua kishin grabitur lirinë dhe pavarësine shumë popujve tjerë, kjo është më shumë se sharlatanizëm politik!
Ishte ky një gabim i madh dhe i pafalshëm, që më vonë do të na hakmerrej shumë, sepse serbomdhenjtë dhe aleatët e tyre perëndimorë sidomos Greqia, na akuzonin se gjoja shqiptarët i paskeshim pritur me lule fashistët e nazistët, akuzë kjo e cila gjente truall dhe mbështetje, ngase i kishte pasur dikur ithtarët e vet!
Populli shqiptar i Kosovës nuk morri pjesë aktive në LNÇ aq sa kishte potencial, dhe kjo mospjesmarrje aktive në njërën nga arsyet e saja i kishte në atë se italianët dhe gjermanët e bashkuan Shqipërinë (kështu propagandonin krerët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit e të organizatave të tjera tradhtare)!
Tradhtia që iu bë popullit shqiptartë Kosovës dhe viseve të saj pas LNÇ-së, ishte e madhe dhe me pasoja të paparashikuara për tërë kombin dhe të ardhmen e tij të afërt dhe të largët!
Bijtë dhe bijat e popullit tonë që ishin pjesmarrës aktiv gjatë LNÇ-së e që kishin pasur pozita udhëheqëse gjatë saj, duke e parë se tradhtia titisto-rankoviqiste ishte realitet, të ndërgjegjshëm se i duhej treguar popullit se ç`po ndodhte me frytet e luftës që kishte zhvilluar dhe fatin e të ardhmen e tij, u rreshtuan hapur e pa hezitim në anën e interesave të popullit, kundërshtuan me forcë e vendosmëri kursin antishqiptar, prandaj disa prej tyre edhe u likuiduan si Xheladin Hana etj., dhe shumë të tjerë u burgosën e vuajtën denime me vite të tëra burg, në burgjet më famëkëqija si Goli-Otok etj…
Këto kundërshtime të koordinuara e spontane, paraqesin një hallkë të rëndësishme në luftën e organizuar për liri e pavarësi!
U formuan parti, organizata e levizje poltike ilegale, të cilat ishin me ndikim të madh në popull, dhe falë ekzistencës së tyre, populli u vetëdijësua për pozitën e tij të rëndë dhe për kerkesat që duhet t`i shtronte e për statusin që i takonte në kuadër të Federatës Jugosllave!
Por në kushtet e një ilegaliteti të thellë që imponohej, sukseset ishin jo të përmasave të mëdha kombëtare që synoheshin e që dëshiroheshin!
Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) , si njëra ndër organizatat e para dhe më masivja, që i printe Adem DEMAÇI, i dha një të shtyrë të madhe luftës së organizuar për liri. Edhe gjatë asaj kohe kur vepronte LRBSH e organizata tjera, ishte prezente një neglizhencë e madhe jo vetëm në radhët e atyre pjetarëve të organizatave e levizjeve politike!
D.m.th. manifestohej një paorganizim mjaft i theksuar!
DEMONSTRATAT- HALLKË E FUQISHME ORGANIZATIVE
Demonstrata e viteve 1968, 1981, 1982, 1989, 1990 janë një zingjir që i dhanë hovin më të madh luftës së organizuar për liri!
Demonstrata e vitit 1968, janë një faqe e re e historisë së popullit tonë!
Janë një kontribut kolosal dhënë luftës së organizuar!
Demonstratat e atij viti ishin kthesa e parë që bëri efekt në popull me përmbajtjen e theksuar kombëtare që kishte!
Por me gjithë faktin se ato ishin të organizuara, dolën në sipërfaqe shumë mangësi organizative!
Demonstratat e vitit 1981 u bënë vijë demarkacioni, sepse me to përfundoi një periudhë e errët, e rëndë dhe e zymtë, zgjimi dhe vetëdijësimi kombëtar!
Pas demonstratave të vitit 1981 nisë një periudhë e re, që karakterizohet nga një varg i panumërt përpjekjesh e sakrificash të përgjakshme!
Në to u pa të manifestohej një shkallë mjaftë e lartë organizative, se sa në ato të vitit 1968!
Për këtë dëshmojnë fillimet e njëkohëshme në të gjitha qendrat e Kosovës dhe viseve të saj, kërkesat e njëjta dhe parullat e transparentet që barteshin!
Dhe për këtë, sipas të dhënave të derisotme, meritë dhe rrol të veçantë ka GMLK-ja e prirë nga patrioti dhe revolucionari i shquar Hydajet HYESNI!
Grevat e minatorëve të Trepçës në Stari-Treg, ishin madhështore!
Ato për trimërinë dhe guximin që u manifestua, mahnitën mbarë opinionin botëror, por për nga ana organizative kishte shumë të meta e dobësi!
Nuk kishin një program të qartë!
Dinin deri në një masë se çfarë kërkonin, por nuk dinin se si duhej vepruar, ku duhej shkuar e me ç`mjete!?
Demonstratat e vitit 1989 janë poashtu një faqe e re e lavdishme e luftës së organizuar!
Këto demonstrata ishin të udhëhequra drejtpersedrejti nga veprimtarët e LPRK-së, në të cilat është dalluar me kontributin e tij të madh, luftëtari e organizatori i talentuar, dëshmori i popullit Afrim ZHITIA!
Demonstratat e vitit 1990, ishin një manifestim i stuhishëm zingjiror, ku morrën pjesë aktive të gjitha shtresat e popullit pa përjashtim!
Ashtu si qyteti dhe fshati jehoi fuqishëm nga thirrjet për liri, pavarësi, Republikë e bashkim kombëtar!
Të gjitha këto ngjarje, si dhe shumë të tjera që nuk u theksuan, pa dyshim se janë një kapital i madh dhe me vlerë të paqmuar në drejtim jo vetëm të luftës, përpjekjeve e përvojës organizative!
Mirpo me gjithë faktin se u shënuan suksese të shumta e u korrën fitore të mëdha, prapëseprap pati plasaritje e thyerje të shumta në rrafshin organizativ, dhe u manifestuan si rezultat i kësaj një varg përqarjesh të ndryshme e tejet te theksuara!
SA JEMI TË ORGANIZUAR ?
Derisa prej viteve 1945/90, shqiptarët nuk kishin pushuar për asnjë çast përpjekjet që brenda Atdheut të organizoheshin, dhe diç kishte arrirë në këtë drejtim, në planin diplomatik kishim mbetur më mbrapa, por jo edhe aq shumë siç deklarojnë disa nihilist!
Themi kështu dhe mendojmë se kemi të drejtë, sepse Shqipëria gjithmonë kishte ngritur fuqishëm zërin e saj ne mbrojtje të të drejtave dhe luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të saj!
Shqipëria kishte bërë më shumë se sa që ishte e mundur, më shumë se që e kishin lejuar rrethanat e kohës e të ish-luftës së ftohtë!
Pastaj një kontribut të madh në drejtim të informimit të opinionit botëror, përpos Shqipërisë, e kanë dhënë mërgimtarët tanë e diaspora në përgjithësi, të prirë nga luftëtarët e lirisë si Jusuf GËRVALLA, Kadri ZEKA etj…
Me krijimin e rrethanave për braktisjen e organizatave antishqiptare e tradhtare si LKJ, LSPP e LRS, si dhe me krijimin e kushteve për formimin e partive politike, pastaj nxjerrjen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, Shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Referendumin, zgjedhjet e ‘’lira’’ presidenciale e parlamentare etj., lufta e organizuar e popullit tonë shënoi një ngritje të vrullshme!
Opcioni paqësorë që u ipmonua për partitë tona politike e për popullin, si alternativa e solucion i vetëm, krijoi një klimë të butë me tendenca të vazhdueshme të topitjes së madhe të tehut revolucionar e luftarak të tij!
Me gjithë arritjet e shënuara organizative në planin e brendshëm, rezultate këto të cilat ishin akumuluar prej vitesh, nga politikanët e rinjë që dolën në skenë iu dha prioritet në mënyrë absolute faktorit të jashtëm, dhe kështu me dashje osë pa të u injorua faktori i brendshëm!
Dhe me plot të drejtë mund të konstatojmë se përderisa në planin diplomatik kemi shënuar suksese të jashtzakonshme dhe se kemi fituar eksperiencë, në të brendshmin jemi si mos më keq e si mos më zi!
Dhe luftën e organizuar nuk mund ta shpiejmë përpara vetëm me Konferencë për shtyp, komunikata e kumtesa!
Ndoshta ndonjë zë i shterrur e antikombëtar, do të ketë guxim prej të qmenduri e të krisuri të thotë: po përse të paorganizuar qenkemi ?!
Si mund të jemi të organizuar kur kujtojmë faktin se për pjesmarrje në një takim të nivelit të lartë botëror që i kushtohej ekskluzivisht ish-Jugosllavisë, siç ishte Konferenca e Londrës, shqiptarët në të morrën pjesë fare të paorganizuar e të papërgaditur, edhe pse kushtet e mundsit ishin të mos shkonin të këtillë!
Pse ishin të paorganizuar e të papërgaditur?!
Ishin sepse disa ditë para se të shkohej në Konferencën e Londrës, Këshilli Koordinues i partive politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, mbajti takimin e tij të parë dhe të fundit për Konferencën!
Gjithashtu vetëm dy ditë para se të shkohej në Londër, Kuvendi për autonomi politiko-teritoriale dhe bashkim me Kosovën, erdhi përfaqësuesi i saj në Prishtinë dhe autorizoi Kryetarin Rugova të fliste në emër të tyre; si mund të jemi të organizuar, kur në Konferencë, në vend se të ishte një delegacion shqiptar me përbërje të zgjeruar ku do të përfaqësohej Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi e të Serbisë Jugore, aty në të morrën pjesë shumë delegacione shqiptare, dmth., çështja shqiptare nuk u prezentua unike por parciale, çfarë nuk është synim i yni!
A nuk do të kishte qenë më mirë sikur në përbërje të delegacionit të Shqipërisë të kishte qenë edhe përfaqësuesi i Kosovës, dhe kur të kishte ardhur koha të diskutohej për të , të ishte ngritur Rugova për të diskutuar e jo Sereçi, sepse më mirë i dimë ne punët e tona, sesa ata të Shqipërisë!
Prandaj s`duhet të na habit fakti kur thuhet se çështja shqiptare mbeti koridoreve ku mbahej Konferenca;
si mund të jemi të organizuar kur pas Konferencës së Londrës, Këshilli Koordinues i partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk mbajti mbledhje e as një takim qoftë edhe formal, për t`i bërë analizë rrjedhës së punimeve të kësaj konference, për të parë sukseset dhe mos sukseset, e për të nxjerrë mësimet e nevojshme;
si mund të jëmi të organizuar kur nga partitë më të mëdha politike shqiptare si PDSH, LDK dhe PPD u bojkotua dhe vazhdohet t`i bëhet bllokadë e tmerrshme mbajtjes së Kuvendit Kombëtarë Gjithshqiptar;
si mund të jëmi të organizuar kur kaloi një vit pas zgjedhjeve, dhe nuk është e mundur të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës;
si mund të jemi të organizuar, kur ekzodi masiv i shqiptarëve vazhdon, dhe asgjë e jashtëzakonshme nuk ndërmerret për t`u penguar boshatisja e Atdheut, në kohën kur largimi i shkon drejtpërsëdrejti në favor pushtuesit serbo-malazez;
si mund të jemi të organizuar, kur degjenerimi i rinisë ka marrë përmasa trishtuese, dhe për ta penguar pak, fare pak është duke u bërë;
si mund të jemi të organizuar , kur procesi edukativo-arsimor është duke u mbajtur me vështirësi të mëdha, dhe lufta për të sunduar në postet e drejtorëve e të profesorëve të shkollave është e turpshme dhe që aspak nuk ka hije për momentin krucial në të cilin gjendemi si popull e si komb etj., etj…
Ç`DUHET TË BËJMË ?
Që të jemi të organizuar e të ngadhënjejmë mbi armiqt dhe tradhtarët, nevojitet që :
– Të lëmë anash të gjitha zënkat e armiqësitë, dhe të bashkohemi e të lidhemi mes veti si mishi e kocka;
– Të krijojmë unitet të çelikt mendimi e veprimi;
– Të mos bojkotojmë asnjë nismë që është në interes të zgjidhjes së çështjes kombëtare, siç është rasti me Kuvendin Kombëtar, por përkundrazi të kontribuojmë në realizimin dhe mbajtjen e tyre me sukses sa më të plotë;
– Shqiptarët e Shqipërisë t`i lënë anash të gjitha mosmarrveshjet, sepse me zënkat e tyre drejtpërsëdrejti dëmtojnë çështjen kombëtare;
– Shqipëtarët e Shqipërisë duhet të ulin tensionin e luftës së tmerrshme për pushtet që janë duke e zhvilluar, ngase ata vetvetiu imponojnë një gjë të tillë edhe në radhët e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të saj, siç është rasti me shqiptarët e Maqedonisë përkatësisht me PPD-në, çka është e dëmshme dhe fatale për kombin;
– Të krijohet një platformë e strategji e vetme dhe e përbashkët kombëtare;
– Parlamenti i Republikës së Kosovës urgjentisht të mbajë mbledhjen konstituive;
– Ashtu si institucioni i Presidentit që vepron brenda, e mekanizma të tjerë, edhe Qeveria e Republikës së kosovës të kthehet brenda, dhe këtu të zhvillojë aktivitetin e saj;
– Këshilli Koordinues i partive politike shqiptare nën ish-Jugosllavinë, të funksionojosë të shpërndahet e të zëvendsohet me ndonjë institucion tjetër;
– Partitë politike shqiptare nëse nuk angazhohen seriozisht në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të kërkohet shpërndarja e tyre;
– Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të angazhohen më me seriozitet e maksimalisht rreth botimit të literaturës shkencore, e cila duhet të shkojë në funksion të informimit, sqarimit e krijimit të një opinioni të ri mbi shqiptarët dhe Kosovën;
– Instituti i historisë së Shqipërisë dhe ai i Kosovës, të angazhohen më shumë në drejtim të nxjerrjes dhe botimit të literaturës historike, dhe kështu të plasohet në opinion e vërteta historike mbi shqiptarët dhe Kosovën etj…!
Duhet të jemi koshient dhe ta kemi mëse të qartë se armiku ynë është i organizuar, se ka mjete të fuqishme propagandistike, se ka armatime të mëdha e të rrezikshme, të cilat janë e përbëjnë një rrezik të madh jo vetëm për popullin tonë por për tërë rajonin!
Por kjo neve nuk duhet të na friksojë!
Por përkundrazi ky armatim i madh dhe i rrezikshëm që disponon armiku, duhet të na stimulojë që të organizohemi më mirë, që të bashkohemi edhe më fort, që të luftojmë edhe me më guxim e vendosmëri për të drejtat tona kombëtare dhe njerzore!
Gjithashtu duhet ta kemi të qartë se po nuk u bashkuam e po nuk e rritëm unitetin, po nuk patëm unitet mendimi e veprimi, vështirë e kemi e do ta kemi edhe në të ardhmen që të marshojmë pa ndalur drejt qëllimeve e synimeve tona të shenjta!
Rruga drejtë lirisë, pavarësisë, Republikës e bashkimit me Shqipërinë Nënë, nuk është e shtruar bulevard!
O sot o kurr duhet të mësojmë nga gabimet e vjetra e të reja qofshin ato!
Sokol GASHI
Prishtinë, 13.09.1993

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Republikën e Kosovës llogaritet se janë mbi 100 shkolla…