“Popullsi e armatosur lokale”, Agani në 1998: UÇK-në e përbëjnë banorët e organizuar vetë për t’i mbrojtur vendbanimet e tyre

08 qershor 2024 | 11:41

Më 6 maj 1999, forcat serbe vranë profesorin e njohur, Fehmi Aganin, i cili ishte nënkryetar i LDK-së. Kjo ngjarje kishte tronditur opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.

Menjëherë pas vrasjes, mediumi serb Tanjug kishte synuar fajësimin e UÇK-së për këtë ngjarje të rëndë kriminale. Metodat e tilla ishin praktikë e vazhdueshme nga aparati shtetëror serb për dëmtimin e imazhit të UÇK-së dhe nxitjen e përçarjes brenda faktorit politik në Kosovë.

Zyrtarët ndërkombëtarë, por edhe familjarët e profesorit Fehmi Agani kishin reaguar duke treguar se ka prova të pakontestueshme se vrasjen e përgatiti dhe realizoi aparati shtetëror serb.

Mediumi prestigjioz amerikan “New York Times”, kishte publikuar një artikull të gjatë për vrasjen e Aganit, ku rrëzohej propaganda serbe dhe bëhej e qartë se vrasjen e kreu shteti serb.

https://demokracia.com/cfare-shkruante-new-york-times-ne-vitin-1999-per-vrasjen-e-fehmi-aganit/

Profesori Fehmi Agani në vazhdimësi gjatë vitit 1998 ishte deklaruar për UÇK-në. Fillimisht në mediumin serb “Danas”, ai tregoi përshtypjen e tij për UÇK-në, duke deklaruar se “Asnjë krah i UÇK-së nuk është terrorist”.

Në një intervistë të dhënë për mediumin “Koha”, të cilën e ka siguruar Demokracia.com, ai më 7 korrik të vitit 1998 kishte deklaruar se pjesën më të madhe të UÇK-së e përbëjnë banorët që janë organizuar vetë për t’i mbrojtur vendbanimet e tyre nga sulmet e policisë serbe.

Në pyetjen se “A ekziston UÇK-ja si një organizatë unike ushtarake dhe politike”, ai e kishte rrëzuar këtë pretendim.

“UÇK-ja nuk është tepër e organizuar e as e strukturuar, por nuk është as një organizatë plotësisht heterogjene. Pjesën më të madhe të UÇK-së e përbëjnë banorët të cilët janë organizuar vetë për të mbrojtur vendbanimet e tyre nga sulmet e policisë serbe. Kam pasur, në Junik, gjithsej dy takime me pjesëtarët e asaj që quhet UÇK dhe kam parë se shumica e atyre njerëzve në të vërtetë është popullsi e armatosur lokale”, kishte treguar Fehmi Agani më 7 korrik të vitit 1998.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të edicionit të 24-të të Panairit të Librit…