Popullsia dhe vendbanimet e Ulqinit në shek. XIX sipas dokumenteve arkivore malazeze
Dr. Nail Draga
Përmbledhje
Rasti i Ulqinit është i veçantë në historinë tonë kombëtare sepse në saje të presionit të Fuqive të Mëdha nga ana e Perandorisë Osmane ky qytet me rrethinën e ngushtë iu dorëzua malazezëve në nëntor të vitit 1880. Në rrethana të reja shoqërore dhe nga pakënaqësia nën administrimin e Malit të Zi, rreth 1/3 e popullsisë shqiptare e Ulqinit emigroi, duke u vendosur kryesisht në Shkodër dhe në Durrës, që ndikoi në zvogëlimin e numrit të popullsisë shqiptare në këtë mjedis. Nga ana tjetër, pushteti i ri malazias si objektiv shtetëror kishte kolonizimin e këtij mjedisi me popullsi sllave, përkatësisht malazeze, fillimisht në qytet e më pas edhe në rrethinën e tij.
Në lidhje me këtë çështje në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi ekziston një dokumentacion i gjerë për Ulqinin nga viti 1880 e më pas, i cili është me interes për hulumtuesit, studiuesit dhe opinionin e gjerë.
Në këtë tekst do të paraqiten të dhëna për popullsinë sipas vendbanimeve dhe për shpërndarjen e tyre territoriale sipas strukturës kombëtare të popullsisë, duke dëshmuar edhe kolonizimin e këtij mjedisi me popullsi sllave (malazeze) që ishte synimi strategjik i pushtetit malazias në këtë periudhë kohore.
Fjalët kyçe: popullsia, vendbanimet, emigrimi i shqiptarëve, kolonizimi me popullsi sllave
Ulqini, viktimë e Fuqive të Mëdha
Në lidhje me çështjen e Ulqinit, përkatësisht dorëzimin e tij nga ana e Perandorisë Osmane Malit të Zi, më 26 nëntor 1880, deri më tash janë shkruar artikuj dhe studime të ndryshme. Duke parë ato vështrime vëmë re se kemi të bëjmë me një rast specifik të presionit të Fuqive të Mëdha të kohës, jashtë vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ndonëse shqiptarët u organizuan për t’i kundërshtuar planet e Fuqive të Mëdha, madje i rezistuan me luftë Perandorisë Osmane, se nuk dëshironin të aneksoheshin nga Mali i Zi, në saje të rrethanave dhe kushteve të pabarabarta, nuk arritën ta përballojnë situatën e krijuar sepse u mundën ushtarakisht.[1]
Nën administrimin e ri popullsia e Ulqinit dhe rrethinës së saj shprehi pakënaqësi andaj vendosi të emigrojë kryesisht në Shkodër dhe Durrës. Ky ishte një emigrim i imponuar. Sipas të dhënave që i kemi, kanë emigruar 413 familje apo rreth 1/3 e popullsisë. Ky ishte eksodi më i madh i njohur deri atëherë në këtë mjedis.[2] Në lidhje me këtë çështje ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme të cilat dëshmojnë edhe me patronimet e familjeve ulqinake të vendosura në këto dy qytete deri në ditët tona.[3] Ndonëse ishte qytet homogjen, i dominuar nga popullsia shqiptare, në rrethana të reja politika shtetërore malazeze si mision kishte ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, duke e kolonizuar këtë mjedis me popullsi sllave, kryesisht malazeze.
Në lidhje me këtë çështjeje dëshmojnë të dhënat e ndryshme burimore, por me peshë të veçantë e të madhe janë ato arkivore, në rastin konkret ato të Arkivit Shtetëror të Malit të Zi në Cetinë. Deri më tash numri i studiuesve shqiptarë që kanë hulumtuar në këtë arkiv ka qenë i vogël. I veçojmë Gj. Nikprelaj[4], Z. Cana[5], R. Rexha[6], ndërsa së fundi një punë me vlerë ka realizuar H. Hajdari[7] i cili hulumtimet në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi në Cetinë i ka paraqitur në një botim të veçantë. Në këtë botim janë publikuar 302 dokumente të cilat kanë peshë të madhe andaj, si të tilla, duhet të konsultohen nga të gjithë që në librat dhe shkrimet e veta trajtojnë temën e Ulqinit në këtë periudhë kohore.
Në lidhje me temën në shqyrtim Arkivi Shtetëror i Malit të Zi ofron të dhëna me interes në lidhje me mbledhjen e haraçit (dacijes) në Ulqin për vitin 1888, tetë vjet pasi ky qytet u aneksua nga Mali i Zi. Janë këto të dhënat e para për popullsinë, vendbanimet dhe përkatësinë e tyre kombëtare, në rastin konkret asaj shqiptare dhe malazeze.
Paraqitja e vendbanimeve dhe e popullsisë sipas përkatësisë kombëtare në Ulqin (1888)*
Nr. | Vendi | Gjithsejtë shtëpi | Shqiptare | Malazeze |
1. | Mhalla e Re | 235 | 215 | 20 |
2. | Qytet (Kalaja) | 67 | 61 | 6 |
3. | Meterizi | 67 | 39 | 28 |
4. | Rana | 69 | 66 | 3 |
5. | Meraja | 280 | 225 | 55 |
6. | Mali i Brisë | 84 | 84 | – |
7. | Reçi | 31 | 31 | – |
8. | Shnjergj | 16 | 16 | – |
9. | Kllezna | 35 | 35 | – |
10. | Qyrkaj | 11 | 11 | – |
11. | Shtoj-Shenkollë | 82 | 78 | 4 |
12. | Krytha e Ulqinit | 35 | 35 | – |
13. | Kruçi | 29 | 29 | – |
14. | Salçi | 40 | 40 | – |
15. | Kollomza | 54 | 54 | – |
16 | Pistulla | 50 | 50 | – |
17. | Gorana | 55 | 55 | – |
Gjithsejtë: | 1240
|
1124 | 116 |
*Dokumenti MUD 1888, dok. 1493, botuar në: H. Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, f. 190
Të dhëna demografike deri në vitin 1880
Në lidhje me të dhënat demografike për Ulqinin dhe rrethinën e tij ekzistojnë të dhëna me interes varësisht prej burimeve dhe autorëve të ndryshëm. Sa iu përket të dhënave të cilat i kemi, deri në vitin 1880 në Ulqin numri i familjeve të përkatësisë fetare ortodokse ka qenë simbolik. Për shembull, në vitet 1863-’64 në Ulqin kishte 453 shtëpi, prej këtyre 451 shtëpi ishin të konfesionit islam, dy ishin ortodokse dhe një në paralagje (Mera), pra gjithsejtë tri familje ortodokse.[8] Me kalimin e kohës ky numër u rrit deri në 11 familje. Familje katolike ishin gjashtë në Mera dhe 21 në Shtoj, ndërsa në pesë fshatrat e tjera më të afërta thuhet se ishin 86 shtëpi myslimane dhe 87 katolike, apo gjithsejtë 173 shtëpi.[9]
Në lidhje me familjet e përkatësisë fetare ortodokse në Ulqin duhet cekur se ato këtu u vendosën për të gjetur strehim si familje të cilat kishin ikur nga hakmarrja në Mal të Zi, por kishte të emigruar edhe për shkaqe ekonomike. Këtu u vendosën edhe zejtarë dhe tregtarë të cilët e zhvilluan veprimtarinë në këtë qytet. Pikërisht në këtë kategori ishin disa familje të përkatësisë ortodokse të ardhura nga Reka e Dibrës apo jugu i Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket përkatësisë së tyre kombëtare, ekzistojnë dyshime se të gjitha nuk kanë qenë sllavofone (malazeze), pasi që ekzistojnë të dhëna se në këtë numër ka pasur edhe të përkatësisë shqiptare dhe vllehe. Duke pasur parasysh këto dyshime për këto familje ortodokse, disa autorë thonë se deri në vitin 1880 në Ulqin nuk ka pasur asnjë familje malazeze.[10]
Të dhënat për numrin e banorëve në prag të vitit 1880 janë të ndryshme. Francezi Bozhur shkruan se Ulqini në shek. XIX kishte 6 000 banorë, ndërsa Gopçeviqi më 1878 jep shifrën prej 8 000 banorëve, ndërsa për vitin 1880 na jepen të dhëna prej 5 000 banorëve.[11] E dhëna se nga viti 1878 deri më 1880 numri i popullsisë ka rënë për 3 000 banorë, dëshmon emigrimin e shqiptarëve nga Ulqini në saje të aneksimit të qytetit nga Mali i Zi (nëntor 1880) që, në njëfarë mënyrë, paraqet gjendjen reale demografike.
Shtrirja territoriale
Në saje të rrethanave politike dhe shoqërore, Ulqini dhe rrethina e tij, pas vitit 1880, në kuadër të administrimit të Malit të Zi, u formua një përcaktim territorial i veçantë i panjohur deri në atë kohë. Kështu këtë herë shtrirja e tillë territoriale përfshin qytetin e Ulqinit, pjesën e bregdetit nga vendbanimi i Krruçit e deri në grykëderdhje të Bunës, duke përfshirë edhe ujdhesën ADA dhe duke vazhduar në lindje përmes lumit Buna, deri te Shëngjergji, përkatësisht te vija ujore e derdhjes së liqenit të Shasit, në anën bregore të liqenit të Shasit, duke vijuar me rrjedhën e Sheut dhe vendbanimin e Klleznës së Sipërme, ku si kufi ndarës ishte lumi, përkatësisht sheu i Megjureçit, deri tek Ura e Mërkotit, duke vazhduar drejt perëndimit në drejtim të Krruçit me dalje në bregdet.
Vendbanimet
Në kuadër të kësaj shtrirjeje territoriale, sipas dokumentit arkivor, ishin të pranishme 17 vendbanime. Çështje të veçantë paraqet shtrirja territoriale, përkatësisht e vendbanimeve të tilla, sepse me kalimin e kohës janë paraqitur ndryshime të kësaj natyre. Fjala është për vendbanimin e Shtojit, sepse në vitin 1888 na del i shënuar si Shtoj-Shënkollë, pra i bashkëngjitur, ndërsa më vonë dalin si vendbanime të veçanta.
Pse në këtë vit dalin në këtë formë, duke qenë i vetmi në këtë territor, mbetet çështje për diskutim dhe meriton një trajtim të veçantë. Po ashtu, hetohet se në kuadër të vendbanimeve të Ulqinit bën pjesë edhe Garana, vendbanim në VP të Ulqinit, i cili në të ardhmen, pas ndryshimeve shoqërore dhe politike, i bashkëngjitet Tivarit, përkatësisht komunës me të njëjtin emër e, si e tillë, është edhe sot.
Qyteti i Ulqinit
Në këtë regjistrim, sa iu përket vendbanimeve, kemi një të dhënë të veçantë. Fjala është për qytetin e Ulqinit i cili na paraqitet si një njësi e vendbanimit, por me pesë njësi përbërëse, përkatësisht lagje të njohura në këtë mjedis si mëhallë. Kështu na paraqitën pesë mëhallë të cilat ishin: Mëhalla e re, Kalaja, Rana, Meterizi dhe Meraja. Nuk ka të dhëna se cili ka qenë shkaku i një evidentimi të tillë, por mund të kuptohet se mund të ketë qenë shënimi më i lehtë i qytetarëve për ta paguar taksën (haraçin) për pushtetin e kohës.
Popullsia
Në lidhje me numrin e përgjithshëm të popullsisë sipas vendbanimeve, dokumenti nga viti 1888 jep të dhëna me interes, pasi që është i pari nga administrata e qeverisë malazeze për këtë regjion. Nga të dhënat e paraqitura në të del se Ulqini me rrethinë ka pasur gjithsejtë 1 240 shtëpi, prej këtyre 1 124 shtëpi shqiptare dhe 116 malazeze. Nëse këto të dhëna i paraqesim me përqindje, del se 90,64 % ishin shqiptare, ndërsa 9,35 % malazeze.
Duke marrë parasysh se deri në vitin 1880 në Ulqin nuk ka pasur asnjë shtëpi malazeze, sipas të dhënave në këtë dokument, në vitin 1888, në kuadër të qytetit, në pesë lagjet e tij janë vendosur 112 shtëpi nga 116 sa ishin gjithsejtë. Prej këtyre, 112 shtëpi (96,5 %) kanë zënë vend në qytet, ndërsa katër shtëpi (3,5 %) në një fshat, në Shënkollë, e që ishin anëtarët e familjes që ishin vendosur në doganën e Shënkollit në breg të Bunës nga data 07.12.1880.
Ndonëse nuk kemi të dhëna në lidhje me numrin e banorëve në tërësi, sipas një analize aproksimative, duke vlerësuar se për një shtëpi mesatarisht ka pasur gjashtë anëtarë, del se në këtë vit në Ulqin ka pasur 7 440 banorë. Ndonëse një e dhënë e tillë mbetet të argumentohet me burime të tjera, sepse për kohën shtëpitë kanë qenë të mëdha, se në kuadër të tyre kanë jetuar disa familje, ky numër duhet të merret më i vogli i tyre në atë kohë.
Në lidhje me këtë çështje përmendim se një vit para këtij informacioni, pra në vitin 1887, Ulqini me rrethinë ka pasur 1 409 shtëpi me 6 407 banorë, prej këtyre në qytet 800 shtëpi me 3 362 banorë.[12] Ndërsa për vitin 1896 kemi të dhëna për popullsinë e disa qyteteve në Mal të Zi, e për Ulqinin thuhet se kishte 5 005 banorë.[13]
Kolonizimi i Ulqinit me popullsi sllave
Me aneksimin e Ulqinit pushteti i Malit të Zi si çështje parësore të politikës shtetërore kishte vendosur ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në këtë mjedis, i cili dominohej absolutisht nga shqiptarët. Me urdhër të Simo Popoviqit, i cili ishte në funksion të guvernatorit të parë në Ulqin, organet e pushtetit malazias filluan punën për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.[14] Në lidhje me këtë çështje, në mënyrë transparente na dëshmon letra e vojvodë Simo Popoviqit që ia dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme, në të cilën thuhet: Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam, N. D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendas t’i asimilojmë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze; dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi duhet të arrihet kur të shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi për çfarë të gëzohemi.[15]
Një përmbajtje e tillë s’meriton të analizohet sepse çdo gjë është transparente, por mbetej të realizohej në praktikë, kolonizimi i një territori të ri të aneksuar, i cili qëllim kishte ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet. Në lidhje me këtë veprimtari deri në fillim të vitit 1888 janë ndarë 4 000 radhë tokë dhe janë vendosur 160 familje kolonistësh malazezë, ndërsa deri në fund të vitit 1890 numri i familjeve koloniste ka arritur në 200. Se pushteti i kohës për këtë çështje është përkushtuar me shumë kujdes dëshmon e dhëna se në tre vjetët vijues, pra deri në vitin 1893, këtu janë vendosur mbi 300 familje malazeze. Në përgjithësi këtu janë vendosur 400 familje kolonistësh të cilave u janë ndarë 5 000 radhë tokë, nga del se për një ekonomi shtëpiake janë ndarë nga 12.5.[16]
Të dhënat japin hollësi se kolonizimi ka përfunduar në mesin e muajit 1893. Përveç në qytet, që janë vendosur më herët, kolonistët në zonën rurale janë vendosur nga Mozhura e deri në Bunë në faza të ndryshme. Ata ishin nga vise të ndryshme të Malit të Zi, kryesisht nga Kuçi, Piperi, Nahija e Rijekës, Leshanit, Katunit, Cërrmnica, Vasojeviqit etj. Në saje të kolonizimit, në këtë mjedis ndryshoi struktura kombëtare e popullsisë, duke dekompozuar homogjenitetin e popullsisë shqiptare e që dëshmohet edhe nga të dhënat e vitit 1899. Pra, kemi të bëjmë me të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë për qytetin e Ulqinit. Sipas këtij dokumenti,[17] Ulqini numëronte 934 shtëpi me gjithsejtë 4 306 banorë, prej të cilave 263 shtëpi ose 28,15 % ishin malazeze, ndërsa 671 ose 71,84 % shqiptarë, ndërsa struktura e popullsisë ishte 70,79 % shqiptare dhe 29,21 % malazeze. Nga këto të dhëna del qartë se politika shtetërore malazeze, për ta kolonizuar këtë mjedis, ia ka arritur qëllimit sepse ata u bënë rreth 30 % në popullsinë e përgjithshme në këtë mjedis të dominuar me shqiptarë.
Përfundim
Për vendbanimet dhe popullsinë e Ulqinit dhe rrethinës së tij nga një dokument arkivor paraqiten të dhëna me interes për këtë mjedis. Edhe pse të dhënat e tilla nuk janë nga një regjistrim zyrtar i popullsisë, siç duket, për interesa të brendshme qeveritare, dëshmojnë realitetin demografik të kohës. Këto të dhëna, përveçse dëshmojnë për numrin e përgjithshëm të popullsisë, japin dëshmi edhe për strukturën kombëtare të popullsisë sipas vendbanimeve. Nga të dhënat del se popullsia sllave e vendosur këtu pas vitit 1880, kur Ulqini kaloi nën administrimin e Malit të Zi, më së shumti ka qenë e vendosur në brendësi të qytetit e më pak në zonën rurale.
Edhe pse në këtë periudhë kohore njëzetvjeçare (1880-1900) struktura kombëtare e popullsisë ndryshoi dukshëm në saje të angazhimit të qeverisë malazeze me procesin e kolonizimit të saj me popullsi sllave si dhe të emigrimit të shqiptarëve në Shkodër, Durrës e gjetiu në Shqipëri, si rekuzim ndaj pushtetit të ri malazias, megjithatë popullsia shqiptare mbeti dominuese në këtë kohë dhe më pas deri në ditët e sotme.
Të dhënat e paraqitura në këtë tekst nuk duhen trajtuar vetëm në saje të një burimi arkivor, sepse për çështjet demografike në këtë mjedis ekzistojnë edhe të dhëna të tjera, nga autorë dhe botime të ndryshme. Një analizë e tillë krahasuese ofron të dhëna optimale dhe të qëndrueshme në lidhje me temën e trajtuar. Vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim përfundime të pranueshme për këtë çështje interesante që mbetet çështje e hapur e që duhet të kompletohet në të ardhmen.
(Marrë nga revista “Arkivat shqiptare”, nr. 57, dhjetor 2021)
Referencat:
Bulajić, Žarko, Agrarni odnosi u Crnoj Gori (1878-1912), Titograd, 1959
Cana, Zekeria, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), IAP, Prishtinë, 1996
Draga, Nail, Shpalime gjeografike, Art Club, Ulqin, 2001
Draga, Nail, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club, Ulqin, 1994
Gopčević, Spiridon, Crnogorski turski-rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd, 1963
Hajdari, Hajro, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018
Hasert, Kurt, Crna Gora I, Putopisi, Podgorica, 1995
Komrumpf, Hans-Jurgen, Ahmed Xhevdet Pasha mbi Shqipërinë Veriore e Malin e Zi, Gjurmime Albanologjike, nr. 2, Prishtinë, 1969
MID 1884, dok. 263 (1, 2, 3, 4, 5), botuar edhe në Ulqini në dokumente malazeze
Nikprelaj, Gjergj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, Gjonlekaj Publishing, Ulqin, 2004
Pejović, Djoko, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji, I. Zapisi, br. 3-4, Titograd, 1970, f. 318
Popović, Simo, Memoari, Titograd, 1995
Rexha, Riza, Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912, Art Club, Ulqin, 2005
Stulli, Bernard, Albansko pitanje 1875-1882, JAZU, Radovi, knj. 316, Zagreb, 1959; Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit, Tiranë, 1979; Riza Rexha, Ulqini dhe diplomacia evropiane në vitin 1878, Lemba, nr. 1, Ulqin, 1988; Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885), Prizren, 1988; Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, Art Club, Ulqin, 1998; Nail Draga, Etnia dhe hapësira, Art Club, Ulqin, 2017
Shpuza, Jusuf, Vëzhgim mbi emrat familjarë të shqiptarëve, Shkodër, 1998
[1] Bernard Stulli, Albansko pitanje 1875-1882, JAZU, Radovi, knj. 316, Zagreb, 1959, f. 287-321; Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit, Tiranë, 1979, f. 62; Riza Rexha, Ulqini dhe diplomacia evropiane në vitin 1878, Lemba, nr. 1, Ulqin, 1988, f. 62-63; Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885), Prizren, 1988, f. 87-89; Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, Art Club, Ulqin, 1998, f. 99-116; Nail Draga, Etnia dhe hapësira, Art Club, Ulqin, 2017, f. 53-62
[2] Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club, Ulqin, 1994, f. 19-28
[3] Jusuf Shpuza, Vëzhgim mbi emrat familjarë të shqiptarëve, Shkodër, 1998, f. 99-108
[4] Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, Gjonlekaj Publishing, Ulqin, 2004
[5] Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), IAP, Prishtinë, 1996
[6] Riza Rexha, Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912, Art Club, Ulqin, 2005
[7] Hajro Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018
[8] Hans-Jurgen Komrumpf, Ahmed Xhevdet Pasha mbi Shqipërinë Veriore e Malin e Zi, Gjurmime Albanologjike, nr. 2, Prishtinë, 1969, f. 199
[9] Spiridon Gopčević, Crnogorski turski-rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd, 1963, f. 343
[10] Simo Popović, Memoari, Titograd, 1995, f. 563
[11] Nail Draga, Shpalime gjeografike, Art Club, Ulqin, 2001, f. 11
[12] Djoko Pejović, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji, I. Zapisi, br. 3-4, Titograd, 1970, f. 318
[13] Kurt Hasert, Crna Gora I, Putopisi, Podgorica, 1995, f. 354
[14] Djoko Pejović, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji, I. Zapisi, br. 3-4, Titograd, 1970, f. 314
[15] MID 1884, dok. 263 (1, 2, 3, 4, 5), botuar edhe në Ulqini në dokumente malazeze…, f. 180
[16] Žarko Bulajić, Agrarni odnosi u Crnoj Gori (1878-1912), Titograd, 1959, f. 132
[17] MID 1884, dok. 263 (1, 2, 3, 4, 5), botuar edhe në Ulqini në dokumente malazeze, f. 180