Popullsia e Bullgarisë bie në përqindje marramendëse për një dekadë
Popullsia e Bullgarisë është zvogëluar për 11.5 për qind gjatë dekadës së kaluar, sipas rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë.
Në shifra, popullsia e shtetit ballkanik u zvogëlua për më shumë se 844.000 njerëz, nga 7.3 në 6.5 milionë, tha të enjten Instituti Kombëtar i Statistikave.
Ekspertët thonë se faktorë për këtë zvogëlim të popullsisë janë shkalla e ulët e lindjeve, vdekshmëria e lartë, vjetrimi i popullsisë dhe emigrimi, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.
Popullsia është rritur vetëm në kryeqytetin Sofje, ndërsa ulje janë regjistruar në të gjitha pjesët tjera të vendit. Popullsia u zvogëlua në shkallë dramatike prej 26 për qind në provincat veriperëndimore, Vidin e Montana, dhe në provincën verilindore, Dobritch.
Instituti Kombëtar i Statistikave pret që rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë të publikohen në fund të këtij viti. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Bullgari ishte bërë më 2011.