
Poroshenko do të dëshmojë në gjykimin për tradhti të Yanukovychit
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se ka vendosur të dëshmojë në gjykimin për tradhti, në mungesë të ish-presidentit Viktor Yanukovych.
“Djalli duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye për herë të parë në historinë e Ukrainës, unë kam vendosur të jem pjesë e gjykimit”, ka thënë Poroshenko në Kiev.
Komentet e tij kanë ardhur pasi një gjykatë në këtë vend, i ka bërë thirrje Poroshenkos dhe zyrtarëve tjerë të lartë të dëshmojnë në gjykim.
Yanukovych ka braktisur zyrën në vitin 2014, duke ikur në Rusi, pas protestave të cilat tregonin pakënaqësinë e popullit për vendimin e tij që të rregullonte marrëdhëniet me Moskën, raporton “Rel”.
Prokurorët ukrainas, kanë thënë se 104 persona janë vrarë dhe 2,500 të tjerë janë lënduar, në përpjekjet e qeverisë për të shuar protestën pro-evropiane.
Prokurorët janë duke kërkuar burgim të përjetshëm për Yanukovychin, i cili akuzohet për tradhti dhe cenim të sovranitetit e integritetit të Ukrainës.