POROSIA E FUNDIT E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT DHE VLERAT E SAJË PËR KOHËN TONË
Jakup Krasniqi
(Komentimi i fjalës së fundit të Skënderbeut)
Hyrje
Qëllimi i këtij punimi nuk është shkrimi i historisë në parametrat strikte shkencore për Skënderbeun, kryetrimin e shqiptarëve të shekullit XV, por shfrytëzimi për sot, për kohen tonë, shekullin XXI, urtinë, dijet që burojnë nga fjalimi i fundit i Skënderbeut sipas S. Zanoviqit. Pra, kemi një koment timin për atë fjalim vizionar të Gjergjit tonë. Natyrisht që këtu ka edhe histori, se vet fjalimi është historik. Kam bërë përpjekje që atë histori ta shfrytëzoi për sot e nesër. Pra, qëllimi është sesi vizioni historik i Skënderbeut t’ju shërbej gjeneratave të shekullit tonë dhe shekujve në vazhdim! Shkurt, qëllimi im është që atë epokë të lavdishme të historisë sonë të pakontestueshme nga shqiptarët dhe europerëndimorët, ta përdorim si mësuese jete e vlerë për ta vërë në shërbim të së sotmes dhe të së ardhmes së kombit!
I
Pas lavdisë 25-vjeçare të shqiptarëve të prirë nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, erdhi momenti me i dhimbshëm për shqiptarët, Kryeprijësi i tyre ishte në shtratin e vdekjes. Skënderbeu para se të vdiste, i kishte ftuar fisnikët shqiptarë dhe djalin e tij dhjetëvjeçar për t’u dhënë porosinë e fundit. Mbreti i shqiptarëve, udhëheqësi më i shquar historik i shqiptarëve i të gjitha kohërave, e dinte se ç’vështirësi e prisnin kombin, prandaj dëshironte që t’ua jepte këshillën e fundit se si duhej të qeverisej e mbrohej Shqipëria nga pushtuesit grabitqarë, qofshin ata nga Lindja apo Perëndimi. Kastrioti u tha: “Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj”. Skënderbeu ishte i bindur, se trashëgimtari që po e linte ishte fëmijë, nuk kishte kaluar në shkollat ushtarake që kishte kaluar ai, nuk e kishte moshën e as përvojën për ta drejtuar vendin, i cili deri atëherë ishte drejtuar sa nga strategu ushtarak, sa nga mençuria e dija për drejtim e qeverisje të vendit e po aq edhe nga fuqia e përdorimit të shpatës nga Skënderbeu dhe ushtarët e tij trima.
Nuk ka asnjë dyshim, që për qeveritarët e sotëm, një porosi që do të duhej ta dinte çdo njeri që dëshiron të merret me politikë është kjo:“Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të …”. Jo vetëm shekulli i Skënderbeut e ka konfirmuar ketë. Diçka më emblematike, sidomos për qeveritarët tanë, Skënderbeu nuk do të mund të linte, por e terë çështja është sa jemi duke mësuar nga këto porosi?
Mënyra se si Skënderbeu e kupton virtytin, të lë që të kuptosh se ai e njeh mirë domethënien e kësaj fjale. Për këtë ai thotë: “Duhet të jetë virtyti themelor i fronit. Virtyti nuk është fantazi (…)”. Dihet se për virtytin, shpjegimin e kësaj fjale në antikitet, të gjitha meritat ia lënë Sokratit. Për Sokratin, virtyti është dije, është shkencë, është dituria e së mirës. Madje për Sokratin, denjësia e individit nuk është gjë tjetër, veçse dija e tij. “Dija, – thotë Sokrati, – është themeli i virtyteve”.
E them me bindje se, në të gjitha institucionet e pavarura të shtetit tonë, në karriget drejtuese, janë vendosur njerëz të paditur, që do të thotë njerëz “jo të denjë e të virtytshëm”. E sidomos te ne në Kosovë, në mënyrë të veçantë pas pavarësisë, askush nuk ka pyetur për virtytin e dinjitetin e njerëzve që po viheshin në drejtimin e institucioneve të shtetit dhe kjo është bërë me një dinakëri të përsosur. Prandaj, bash gjatë këtyre viteve, nga Kosova ka pasur një ikje të heshtur e të hapur, ikje e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Skënderbeu para 550 vjetësh na porosiste: “Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush… Të virtytshëm, ju mund ta mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë….”
Para 550 vjetësh, Skënderbeu ynë kërkonte që qytetarëve që u bëheshin padrejtësi, t’u krijohej mundësia t’i njoftonin ato te prijësi i tyre. Skënderbeu u thotë: “Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë, ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja”. Nëse kemi parasysh kohën kur është thënë kjo kërkesë e Kastriotit, del të jetë më shumë se demokrat. Kjo, gjithashtu, është një dëshmi tjetër, se e Drejta Zakonore shqiptare ka pasur një nivel të lartë të drejtësisë. Drejtësia e instaluar sot, në të dy shtetet tona, nuk mund të thirret në traditën tonë kombëtare. Skënderbeu vazhdon fjalën e tij: “Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje”. Këtu Skënderbeun e shohim të ketë solidaritet me shtresat e mesme e të varfra të popullit.
Nga ai që do të ulet në fronin mbretëror, Skënderbeu kërkon që të jetë shpesh në mesin e popullit. Dhe i porositë: “Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj! Dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyetini ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj”. Kastrioti e ka të qartë, se udhëheqësi gjithnjë ka mundësi të rrethohet me njerëz servilë e mashtrues, se vartësit e tij mund të jenë njerëz që u mungojnë virtytet, prandaj duhet krijuar mekanizmat kontrollues, madje edhe duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta me popullin. Skënderbeu duke pasur përvojën e viteve sa ishte në oborrin e sulltanit, e di se “Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran… Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi, saqë t’i frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit”. Për Skënderbeun, mbreti, princi a cilido udhëheqës i shtetit, si dje ashtu edhe sot, duhet të jenë të urtë, të drejtë dhe të virtytshëm, se vetëm udhëheqës të tillë e kanë vullnetin për t’i ndihmuar, për t’i korrigjuar abuzimet e fatkeqësitë që pushtetarët pa dinjitet u shkaktojnë shtetasve, sovranit të vetëm të shtetit. Udhëheqësit e padijshëm, të pa dinjitetshëm e arrogantë, mendojnë se ata janë sovrani e jo qytetarët, pa të cilët nuk ka as shtet e as sovranitet. Vërtetë, largpamësia e Kastriotit më së miri shihet në vazhdim, kur thotë se “kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë, është një mashtrues, i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…”. Thënie më të mirë, më të fuqishme e më aktuale se kjo nuk ka! Dhe ky xhevahir është thënë para 550 vjetësh dhe është goxha vështirë të haset diku tjetër kjo mrekulli skënderbegiane. Ky mendim avangardë po i mungon shumë kohës sonë. Këtu çdo fjalë është diamant më vete dhe secila është në vendin e vet. Jo më kot është thënë se te Skënderbeu ka diçka hyjnore.
(Fusnotat i ka hequr redaksia)