Porosia e presidentes së KE-së për Kosovën: Formojeni Asociacionin
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka thënë se është me rëndësi që edhe Kosova ka aspirata të qarta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për medie të mbajtur të mërkurën në Bruksel, presidentja e KE-së, ka theksuar se për Kosovën tash është me rëndësi që të ecet drejt zbatimit të obligimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo do të jetë një hap i madh përpara.
Ndërsa komisionari i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi duke u përgjigjur në pyetjet se çfarë po ndodh me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE tha se kjo kërkesë është në duart e Këshillit dhe akoma nuk është kërkuar nga Komisioni që të përpilojë opinionin për Kosovën.
Ai tha se kur Këshilli të japë mandatin, Komisioni është i gatshëm të nisë punën në opinionin për statusin e kandidatit për Kosovën.
Edhe Verhelyi ka thënë se “duket qartë se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes dialogut dhe duhet të sigurojë sukses në këtë drejtim”.