Porosia persuasive amerikane: të votohet Kadri Veseli për kryeministër
Këtë porosi duhet ta mbajë në mendje secila votuese dhe secili votues në aktin e votimit: pra të votojmë për bashkëpunimin e ngushtë me aleatin tonë, me forcën më të madhe ekonomike dhe politike të botës – me ShBA-në, ta votojmë PDK-në, nr. 112 dhe Kadri Veselin për kryeministër
Hasan Mujaj
Zeniti i tërë fushatës zgjedhore u manifestua dhe u kurorëzua me sukses në Gjilan. Kjo ndodhi mbrëmjen e një tetorit 2019. Në Gjilan folën njëzëri: Anamorava, Kosova dhe Amerika. Aty u trupëzua kulminacioni i gjithë parafushatës e fushatës zgjedhore të Kosovës. Atmosferë hareje e galdimi. Entuziazëm ndjenjash ndaj aleatit më besnik të Kosovës. Në Gjilan u manifestua devotshmëria e Kosovës ndaj burimit të demokracisë, ndaj Amerikës dhe ndaj kultivimit të mëtejshëm të bashkëpunimit Kosovë – ShBA.
Në Gjilan nuk qe vetëm Anamorava. Jo. Aty, emocionalisht, qe e tërë Kosova, e tërë diaspora shqiptare. Në Gjilan u rikonfirmua, u nënshkrua dhe u verifikua me vulën e sovranit miqësia e përhershme Kosovë – Amerikë, të cilën dikush e zvetënoi dhe e vuri në dyshim. Mirëpo, sikundër tha zyrtari i lartë amerikan në këtë lloj referendumi, qe Kadri Veseli ai, i cili jo vetëm që e rivendosi përkushtimin e Kosovës për bashkërendim e integrim me ShBA-në, porse e thelloi atë miqësi dhe e shpuri përpara në dritën e iniciativave risimtare të zhvillimit ekonomik e politik të Kosovës.
Zyrtari i lartë amerikan M. Whikater, ndër të tjera, e tha qartë se kë duhet ta votojnë shqiptarët për kryeministër të Kosovës më 6 tetor. Njeriu i presidentit amerikan u bëri thirrje kosovarëve: “Votoni për Kadri Veselin që e forcon miqësinë me Amerikën, të tjerët e rrezikojnë”.
Whikater shtoi: “Në këto votime zgjedhja është midis: një qeverie që do të forcojë bashkëpunimin me ne Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin dhe për të zhvilluar ekonominë tuaj në mënyrë që të krijohet mirëqenie dhe sukses për të gjithë. Mundësitë tuaja alternative përbëjnë rrezik- bëhet fjalë për një qeveri e udhëhequr nga politikanë që mund ta izolojnë Kosovën dhe t’i dëmtojnë marrëdhëniet tuaja me ne… Kadri Veseli është një reformator. Kadri Veseli është mik i ShBA-së”, tha Whikater. Kjo është e vërteta.
Këtë porosi duhet ta mbajë në mendje secila votuese dhe secili votues në aktin e votimit: pra të votojmë për bashkëpunimin e ngushtë me aleatin tonë, me forcën më të madhe ekonomike dhe politike të botës me ShBA-në, të votojmë PDK-në, nr. 112 dhe Kadri Veselin për kryeministër.
Nuk besoj të ketë njeri normal i përkushtuar për zhvillimin ekonomik e politik të Kosovës që i shmanget ofertës së zyrtarit të lartë amerikan. Edhe ata që nuk e duan Kadri Veselin do të duhej ta votonin sepse këtë e kërkon Amerika për interesin e zhvillimit të Kosovës.
Fjalimi i zyrtarit amerikan i hodhi poshtë fjalimet e disa liderëve të tjerë të Kosovës si fjalime me përmbajtje manipuluese, euforike, emfazike, demagogjike etj. që, si të këtilla, mund ta izolojnë Kosovën nga aleatët besnikë, sidomos nga ShBA-ja.
Fjalimet me gërnja e fyerje të disa liderëve partish politike janë të nivelit akulturor; ato mbështeten në maraz, në resë dhe janë shqim naive e fiktive aq sa janë të neveritshme të dëgjohen e lëre më të votohen oratorët e tyre.