Porti i Durrësit në funksion të ekonomisë së Kosovës
Hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit të Shqipërisë, sipas autoriteteve në Prishtinë, ka ndikuar në rritjen e importit të mallrave përmes transportit detar që destinacion kanë Kosovën, si dhe ka lehtësuar procedurat doganore.
Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, që nga vendosja e pikës doganore në Portin e Durrësit janë proceduar rreth 4 mijë maune me destinacion terminalet doganore në Kosovë.
Kjo pikë doganore në Portin e Durrësit ishte vendosur më 15 janar të këtij viti. Mallrat që kanë destinacion tregun e Kosovës kontrollohen dhe zhdoganohen nga zyrtarë doganorë të Kosovës të vendosur në këtë port.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovë, Adriatik Stavileci, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se për subjektet importuese kosovare, funksionimi i kësaj zyre doganore në Portin e Durrësit, ka shkurtuar koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe procedurat burokratike tregtare.
“Aktualisht, në këtë zyre punojnë 6 zyrtarë doganorë. Brenda 11 muajve kjo zyre doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ka proceduar 3.668 kërkesa apo maune transit me destinacion terminalet doganore në Kosovë. Për subjektet importuese kosovare funksionimi i kësaj zyre paraqet lehtësim, sepse agjencive doganore të autorizuara (nga këto kompani kosovare) që iu kryejnë shërbimet në zhdoganim të mallrave në Kosovë, u është dhënë mundësia që të kryejnë edhe procedurën e transitit nga Porti i Durrësit deri në destinacion, brenda Kosovës”, ka thënë Stavileci.
Më shumë se 60 për qind e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, shfrytëzojnë transportin detar, konkretisht Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit në Shqipëri. Shfrytëzimi i transportit detar për mallrat e importuara kishte filluar të shënojë rritje pas përfundimit të autostradës “Ibrahim Rugova”, e njohur edhe si “Rruga e Kombit”, e cila lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe anasjelltas.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/porti-durresit-ekonomia-kosoves/30284630.html.