Portlandi fiton ndaj Memphis, përballet me Lakers në ‘play-off’

16 gusht 2020 | 13:52

Përfundoi 126-122 sfida “play-in” mes Portland Trail Blazers dhe Memphis Grizzlies, me skuadrën nga Oregoni që fiton të drejtën për të marrë pjesë në fazën “play-off të këtij sezoni në NBA, ku që në raundin e parë e pret përplasja shumë e vështirë më Los Angeles Lakers, ekipin që u rendit i pari në Konferencën e Perëndimit në përfundim të sezonit të rregullt.

Një përballje e hapur dhe e ekuilibruar në pjesën më të madhe të kohës, por diferencën Blazers e bënë në periodën e fundit, ku nga -8 e mbyllën takimin me +4 pikë.

Meritë të padiskutueshme në këtë takim kishte Jusuf Nurkiq, që edhe pse ishte në zi për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij, rezultoi vendimtar poshtë koshit, sikurse e tregojnë edhe shifrat, me 22 pikë, 21 “rebound” dhe 6 asistime. Për pjesën tjetër menduan Damian Lillard dhe CJ McCollum, respektivisht me 31 dhe 29 pikë.

Grizzlies shtrënguan dhëmbët të udhëhequr nga Ja Morant, shënuesi më i mirë i përballjes me 35 pikë, por që rezultuan të pamjaftueshme.

Tashmë është kompletuar kuadri i çifteve të raundit të parë të “play-off”-it që do të nisin këtë të hënë me duelet Denver Nuggets-Utah Jazz dhe Toronto Raptors Brooklyn Nets. /SS/

“Play-off” / Çiftet e raundit të parë

17.08.2020

Denver Nuggets – Utah Jazz
Toronto Raptors – Brooklyn Nets

18.08.2020

Boston Celtics – Philadelphia 76ers
Los Angeles Clippers – Dallas Mavericks
Los Angeles Lakers – Portland Trail Blazers
Milwaukee Bucks – Orlando Magic
Indiana Pacers – Miami Heat

19.08.2020

Houston Rockets – Oklahoma City Thunder

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, tha se Rusia është pajtuar…