Portlandi në sekondën e fundit e mposhti Toronto
Fitore në sekondat e fundit për Portland Trail Blazzers në NBA. Në “Moda Center” skuadra nga Oregoni mposhti me rezultatin e ngushtë 112-111 Toronto Raptors duke thelluar krizën e skuadrës kanadeze në këtë fillim sezoni me Raptors që pozicionohen në vendin e parafundit në Lindje me 2 fitore dhe 8 humbje në 10 ndeshje.
Falë një periode të 4-t fantastike, Portlandi përmbysi disavantazhin ndaj Raptors për meritë edhe të dyshes McCollum-Lillard që së bashku realizuan 53 pikë, duke udhëhequr Blazzers drejt suksesit të 6-të sezonal dhe fitores së 3-të rresht, raporton “SS”. Vijon rënia e lirë e Philadelphia 76ers që nga vendi i parë ka zbritur në pozicionin e 3-të në konferencën e Lindjes pasi pësoi humbjen e 3-të rresht. 76ers u mposhtën në transfertën e Georgias nga Atlanta Haëks me rezultatin 112-94. Më i miri mbi parket për Hawks ishte talenti Trae Young, autor i 26 pikëve, ndërsa për Philadelphia nuk e mjaftoi paraqitja e mirë e kamerunasit Joel Embiid që koleksionoi në total 24 pikë dhe 11 rebound. Fitore e thjeshtë për Milwaukee Bucks që regjistroi fitoren e 5-të në 6 ndeshjet e fundit pasi triumfoi lehtësisht në transfertën e Floridas ndaj Orlando Magic me rezultatin 99-121.
49 pikë realizoi në total dyshja Vucevic-Gordon për Magic por në këtë sfidë diferencën e bëri loja e mirë në grup e Bucks me Antetokounmpon që spikati me 22 pikë. Shumë luhatje edhe për Indiana Pacers që pësoi një tjetër humbje pasi u thye në Kaliforni nga Sacramento Kings me rezultatin 127-122. Barnes realizoi 30 pikë për Kings ndërkohë te Indiana më i miri mbi parket ishte lituanezi Sabonis me 28 pikë, 11 rebound dhe 3 asistime.
Pacers pësuan humbjen e 4-t në 10 takime, ndërkohë që për Sacramenton kjo ishte fitorja e 5-të në 11 ndeshje. U rikthye te fitorja pas 3 humbjesh edhe Washington Wizards që kaloi lehtësisht me shifrat 128-107 Phoenix Suns falë një super paraqitjeje të Bradley Beal autor i 34 pikëve, ndërsa koleksionoi edhe 8 rebound e 9 asistime.