Portrete të dashurash

07 nëntor 2024 | 12:48

Sharl Bodëler

Përktheu nga origjinali: Roland Çipa

Në një buduar burrash, ose më mirë të themi në një sallë duhani të ngjashme me një tripo[1] elegant, katër burra pinin duhan dhe verë. Ata nuk ishin as të rinj e as të vjetër, as të pashëm e as të shëmtuar. Secili prej tyre kishte një tipar të veçantë që karakterizon veteranët e qejfit, një gjë të papërshkrueshme, një lloj trishtimi të ftohtë dhe tallës që duket sikur thotë qartësisht: “Ne kemi bërë jetë dhe tani duam të dimë se çfarë ka mbetur për t’u pëlqyer dhe për t’u vlerësuar ende në këtë jetë”.

Një prej tyre hapi bisedën rreth femrave. Do të ishte më e arsyeshme që asnjë të mos fliste për këtë temë, por ka disa intelektualë të cilët s’i përbuzin bisedat banale pasi kanë pirë. Të gjithë dëgjojnë atë që flet, sikur të dëgjonin një muzikë vallëzimi.

– Të gjithë njerëzit – thoshte ai që hapi bisedën, kanë pasur dikur moshën e Kerubinit[2]. Gjatë kësaj kohe, meqë s’kemi ende driada[3], përqafojmë pa përçmim edhe trungun e lisit. Ky është stadi i parë i dashurisë. Në stadin e dytë fillojmë të zgjedhim. Të zgjedhësh do të thotë të jesh tashmë në dekadencë. Në këtë periudhë rendim me ngulm pas bukurisë. Për sa më përket mua, mund të mburrem se kam arritur prej kohësh në periu­dhën klimakterike[4] të stadit të tretë ku bukuria në vet­vete nuk mjafton në qoftë se ajo nuk shoqërohet me parfumin, veshjen, stolitë etj. Do të pohoja se disa herë ëndërroj, siç ëndërrojmë për një lumturi të panjohur, për një lloj stadi të katërt, i cili duhet ta karakterizojë qetësinë absolute. Por gjatë gjithë jetës time, me përja­shtim të kohës kur isha në moshën e Kerubinit, kam qenë i ndjeshëm më shumë se çdo njeri tjetër ndaj marrëzisë së padurueshme e ndaj mediokritetit acarues të femrave. Ajo që më pëlqen mbi të gjitha te kafshët është çiltërsia e tyre. Po ju lë ju, pra, ta gjykoni vetë, se sa shumë vuajta nga e dashura ime e fundit.

Ishte bija bastarde e një princi. Kuptohet që ishte shumë e bukur, përndryshe nuk do ta kisha zgjedhur. Por ky avantazh i madh gjymtohej nga një ambicie e pavend dhe e shëmtuar. Ajo donte të shtirej gjithmonë si mash­kull. Nga goja e saj, prej së cilës do të doja të dilnin vetëm këngë, dilnin shpeshherë këto refrene të paduru­eshme: “Ti nuk je burrë! Ah sikur të isha burrë! Nga ne të dy, jam unë ajo që i ngjan më tepër një burri të vër­tetë!” Sa herë që shprehja admirimin tim për një libër, një poemë apo një opera ajo menjëherë më thoshte: “Ju duket e fortë kjo vepër? A e dini se çfarë do të thotë forcë?” dhe pastaj fillonte të argumentonte.

Një ditë prej ditësh filloi të merrej me kimi. Që prej asaj dite, midis gojës sime dhe gojës së saj gjendej një maskë prej qelqi[5]. Përveç kësaj, ishte edhe shumë e turpshme. Kur ndonjëherë bëja ndonjë gjest të shkuj­desur që shprehte dashurinë time, ajo përpëlitej, si një femër e turpshme që është përdhunuar.

– E si përfundoi kjo histori? – pyeti një nga tre të tjerët. Nuk e dija që ishit kaq i durueshëm.

– Zoti, ia gjeti ilaçin së keqes – iu përgjigj ai që po tregonte. Një ditë e pashë atë Minervë[6] të etur për forcë ideale, kokë me kokë me shërbëtorin tim, në disa rrethana që më detyruan të largohesha fshehurazi që të mos i bëja të skuqeshin nga turpi. Po atë mbrëmje, i shporra të dy dhe i pagova paratë që iu detyrohesha.

– Mua s’më takon të qahem, sepse e kam vetë fajin – ia ktheu ai që preu bisedën pak më parë. Më erdhi lum­turia te pragu i portës dhe nuk e kapa. Këto kohët e fundit pata fatin e lumtur të jetoja me një femër që ishte me të vërtetë më e buta, më e bindura, më e devotshmja e të gjithë krijesave njerëzore, gjithmonë e gatshme dhe pa entuziazëm. Përgjigjja e saj e zakonshme ishte: “Me gjithë qejf, meqë kjo gjë ju jep kënaqësi”. Më shumë rënkime nxirrte muri apo kanapeja po t’i binit me grusht sesa e dashura ime në zjarrin më të vrullshëm të dashu­risë. Pas një vit bashkëjetese, ajo më pohoi se nuk kishte ndier asnjëherë kënaqësi. U neverita nga ky duel i pabarabartë dhe e lashë. Kjo grua e pakrahasueshme u martua me dikë tjetër. Pak më vonë, m’u tek ta shihja përsëri dhe kur e takova, më tregoi gjashtë fëmijë të mrekullueshëm dhe më tha: “Eh, mor mik i dashur! Gruaja e martuar është po aq e virgjër[7] sa ç’ishte e dashura juaj”. Asgjë nuk kishte ndryshuar tek ajo. Ndonjëherë më merr malli dhe them se duhet të isha martuar me të.

Të tjerët filluan të qeshnin, ndërkohë që një i tretë filloi të tregonte:

– Zotërinj, unë kam shijuar disa kënaqësi që ju ndoshta i keni lënë pas dore. Desha të flas për praninë e komikes në dashuri, të një lloj efekti komik që nuk e përjashton admirimin. Unë besoj se e kam adhuruar të dashurën time të fundit më tepër se ç’keni urryer apo dashuruar ju të dashurat tuaja. Të gjithë e adhuronin po aq sa unë. Kur hynim në një restorant, njerëzit harronin të hanin që ta soditnin. Edhe vetë kamerierët dhe banakierja pushtoheshin nga një lloj ekstaze ngjitëse deri në atë pikë sa harronin t’i bënin punët e tyre. Shkurt pra, jetova disa kohë kokë më kokë me një fenomen të gjallë. Ajo hante, përtypte, shkërmoqte, përpinte, gëlltiste me pamjen më të shkujdesur dhe më moskokëçarëse që ekziston në botë. Kjo lloj ekstaze vazhdoi gjatë. Ajo thoshte “Kam uri!” në një mënyrë të ëmbël, ëndërruese, romaneske, angleze[8] dhe i përsëriste natë e ditë këto fjalë duke tre­guar dhëmbët më të bukur në botë, që do t’ju zbusnin dhe do t’ju gëzonin në të njëjtën kohë. Do të isha bërë i pasur po ta nxirrja nëpër panaire dhe ta paraqisja si një përbindësh shumëgrënës e gjithëngrënës. E ushqeja mirë e megjithatë më la …

– Shkoi me një magazinier ushqimesh me siguri?

– Diçka e tillë. Me një tip që punonte si intendent në ushtri dhe që me disa mashtrime dhe dallavere i sigu­ronte kësaj vogëlusheje të shkretë racionin e disa ushta­rëve. Të paktën kështu ma mori mendja mua.

– Unë, tha i katërti, kam vuajtur tmerrësisht nga e kundërta e atyre gjërave që zakonisht ia mveshim femrës egoiste. Për mua ju jeni vdektarë fatlumë, sepse nuk keni arsye të qaheni nga të metat e të dashurave tuaja.

Këto fjalë u shqiptuan me një ton shumë serioz, nga një burrë që kishte një pamje të butë dhe të shtruar, një fizionomi pothuajse klerikale dhe fatkeqësisht të ndri­çuar nga dy sy gri të çelët, vështrimi i të cilëve duket sikur thotë: “Dua!” apo “Duhet!” apo më mirë “Unë nuk fal kurrë!”

– Aq nevrik sa jeni ju G…, aq burracakë dhe të cekët sa jeni ju K… dhe J…, do t’ia mbathnit me kohë ose do të kishit vdekur po të bashkëjetonit me atë tip femre që kam njohur unë. Kurse unë mbijetova siç e shihni dhe vetë. Përfytyroni një qenie të paaftë të bëjë qoftë dhe një gabim të vetëm sentimental, një qenie që ka karakter të qetë që të çmend, një devotshmëri pa hile dhe pom­pozitet, një butësi pa dobësi, një energji pa dhunë. His­toria e dashurisë sime i ngjan një udhëtimi të pafund mbi një sipërfaqe të pastër dhe të lëmuar si një pasqyrë marramendësisht monotone, që reflektonte të gjitha ndje­njat dhe gjestet e mia me saktësinë ironike të ndërgje­gjes sime, në mënyrë të tillë që unë nuk mund t’i lejoja vetes asnjë gjest apo një ndjenjë të paarsyeshme, pa marrë qortimin e shurdhër të hijes sime të pandashme. Dashuria më dukej si tutelë. E dashura ime më pengoi të bëj sa e sa marrëzira, për të cilat edhe sot e kësaj dite më vjen keq që nuk i bëra! Ajo më bëri të laj pa dashur shumë borxhe! Ajo më privonte nga fitimet që mund të kisha në saje të çmendurisë sime. Ajo më pengonte t’i plotësoja tekat e mia me një ftohtësi dhe rregull të paka­përcyeshëm. Dhe ç’është më e keqja, kur rreziqet kalo­nin, nuk kërkonte t’i isha mirënjohës. Sa herë jam për­mbajtur që të mos i hidhesha në grykë duke bërtitur: “Pusho së qeni e përsosur, femër e ulët, që të të dua pa siklet dhe pa inat!” E adhurova për një kohë të gjatë, me zemrën mbushur plot urrejtje. Në fund të fundit, nuk vdiqa unë.

– Ah! – thanë të tjerët, pse, vdiq ajo?

– Po! Kjo gjendje s’mund të vazhdonte më. Dashuria ishte shndërruar në një makth mbytës për mua. Fati më detyroi të zgjidhja midis dy rrugëve: të fitoja apo të vdisja siç thuhet te Politika[9]! Një mbrëmje, në një pyll … buzë një pellgu… pas një shëtitjeje melankolike ku sytë e saj pasqyronin butësinë e qiellit, dhe ku zemra ime ishte e acaruar si skëterra …

– Çfarë?

– Si?

– Çfarë doni të thoni?

– Ishte e pashmangshme. Për mua parimi i respektit është shumë i rëndësishëm, dhe nuk mund të rrah, fyej apo dëboj një shërbëtor shembullor. Por në të njëjtën kohë, duhej që ky parim të përputhej me tmerrin që më shkaktonte kjo qenie. Unë duhet ta hiqja qafe pa e fyer, duke e respektuar. Nuk mund të veproja ndryshe, sepse ajo ishte e përkryer.

Tre shokët e tjerë bënë gjoja sikur nuk e kuptuan dhe i hodhën një vështrim të turbullt dhe të hutuar, që të linte të nënkuptoje se ata vetë nuk ishin të aftë të bënin një veprim aq të vështirë, megjithëse ai u shpjegua në mënyrë më se të mjaftueshme.

Pastaj atyre u sollën disa shishe të tjera me verë për të vrarë Kohën që reziston aq shumë dhe për të përshpej­tuar Jetën që rrjedh aq ngadalë.

©Botuesi

[1] Nga frëngjishtja tripot. Shtëpi apo lokal në të cilin luhen lojëra të ndaluara apo ushtrohen aktivitete të ndaluara në përgjithësi.

[2] Personazh i “Martesës së Figaros” (Le mariage de Figaro), vepër e shkrim­tarit francez Pier Ogystën Karon dë Bomarshe (Pierre-Augustin Carron de Beaumarchais) (1732-1799). Bëhet fjalë për një djalosh me pamje fëmijërore dhe të turpshëm, i cili sapo kishte filluar të kishte tiparet e një burri. Emri i personazhit është marrë nga feja e krishtere dhe judaike, tek të cilat një kerubin është një lloj engjëlli. Ai përfytyrohet si një fëmijë i bukur dhe me shpirt të pastër.

[3] Nga latinishtja dryadis që është shndërruar nga greqishtja druados. Nimfa që jetonin nën lëvozhgën e pemëve dhe që mbronin drurët, pemët dhe pyjet.

[4] Nga latinishtja climactericus që është shndërruar nga greqishtja klima­kterikos. Periudhë e rëndësishme e jetës njerëzore në të cilën ndodhin ndryshime të mëdha. Në antikitet mendohej se kjo periudhe vinte çdo 7 apo 9 vjet.

[5] Kimistët e asaj kohe mbanin në gojë një maskë prej qelqi për t’u mbrojtur nga substancat helmuese.

[6] Hyjnesha latine e diturisë dhe urtësisë. Ekuivalentja e Athinasë greke.

[7] Fjala përdoret me kuptim të figurshëm, që nuk ka provuar asnjëherë kënaqësi fizike.

[8] Në mënyrë të ftohtë dhe të përmbajtur si fisnikët anglezë.

[9] Vepër e filozofit Aristoteles (-384, -322).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë njoftim për afatet…