Portretet më të dashura të Anton Corbijnit

28 janar 2022 | 08:33

David Bowie ishte zotëri, Naomi Campbell ishte zbulesë dhe Virgil Abloh ishte profetik. Fotografi i madh i portreteve, Anton Corbijn, rijeton pesë nga fotot e tij më të mira.

Nga: Tim Jonze
Përktheu: Telegrafi.com

Duke folur nga shtëpia e tij në Keni, Anton Corbijn mban një sardele të skuqur mes gishtërinjve dhe e vendos në mënyrë joshëse përpara kamerës së tij në Zoom. “Më vjen keq”, thotë ai, “por dikush i vuri këto pranë meje dhe e kishin një erë aq të mirë saqë m’u desh t’i kafshoja”.

Pavarësisht nga peshku i skuqur, Corbijn e çon një “jetë të shëndetshme” në Afrikë, ndërsa distanca me Evropën nuk e ka penguar fare punën e tij. Ekspozita e tij e fundit – që mund të shihet në studion e tij në Hagë dhe në internet në faqen de-pury.com – e pozicionon në rangun e fotografit të portreteve, me një gamë të gjerë yjesh dhe subjektesh. A është kjo për shkak se njeriu që qëndron prapa disa prej imazheve më të famshme të muzikës, që nga Joy Division e deri tek U2, është i frustruar meqë futet në këtë kategori?

“Jo”, thotë ai. “Jam shumë krenar për atë që kam bërë në atë zhanër. Por, thjesht, nuk mendoj se fotografia muzikore është gjithçka që bëj. Jam fotograf portretesh. Por, deri në vitin 1989 i fotografoja vetëm muzikantët. Më pas u transferova në Los Anxhelos, i ndryshova formatet e kamerës dhe shtova më shumë subjekte – aktorë, piktorë, modele, regjisorë; gjithmonë njerëzit që janë në sy të publikut dhe që janë krijues”.

Përpara se ta lë të kthehet te sardelet e tij, i diskutojmë pesë imazhet ikonike nga ekspozita e tij e re.

DAVID BOWIE, ÇIKAGO, 1980

“Punoja si fotografi kryesor në revistën ‘NME’ dhe sapo isha zhvendosur në një ndërtesë të braktisur në lindje të Londrës. Angus MacKinnon i NME-së do ta intervistonte Davidin në Çikago, por ata nuk e lejonin fotografin. Fatmirësisht, prindërit m’i kishin dhënë paratë për ta blerë një shporet, kështu që i shpenzova në një fluturim dhe u paraqita në intervistë. Kushtoi 800 funte, para të mëdha për mua atë kohë, por këto gjëra shpërblehen nëse e bëni jetën e një aventurieri.

Asistentja i Bowiet tha: ‘Çfarë po bën këtu? E kishim një marrëveshje – pa fotografi’. Për fat, kur Davidi e kishte vizituar një herë Holandën, e kam lënë portofolin tim në hotelin e tij. Të nesërmen m’u kthye një shënim që thoshte: ‘Faleminderit’. Mendova se isa thjesht një ‘dëshpërim’ i madh për të. Por, kur i thashë asistentes, shikoi në fletoren e saj dhe merr vesh se kishte shkruar: ‘Fotografi më i mirë në Holandë – Anton Corbijn’. Kështu pra e kisha një shans. Ajo i tha Davidit dhe ai ma dha lejen. Ishte sjellje e mirë, meqë në fakt nuk lejohej të fotografohej me kostumin skenik.

Shkrepja ishte e shpejtë, por të nesërmen u takuam në një lokal për të bërë më shumë. Ishte djalë i mrekullueshëm, zotëri, qesharak, me të gjitha këto gjëra, por edhe i bukur dhe i vetëdijshëm për estetikën. Mbaj mend se ishte një xhuboks dhe e lëshoi këngën ‘That’s What God Looks Like To Me’ të Frank Sinatras.

Kjo është një nga fotografitë e mia të preferuara. Nuk është thjesht një shkrepje e Bowiet; është diçka e ngjashme me Krishtin. Kjo është ajo çfarë shpresoni kur ju bëni fotografi: se do t’i kapërcejë të gjitha gjërat e zakonshme. Shumë merita duhet t’i shkojnë atij. Është një vështrim i bukur. Çfarë po mendonte? Nuk e di. Ndoshta: ‘E dua një birrë’.

VIRGIL ABLOH, ÇIKAGO, 2019

Virgili po bëhej gati për një shfaqje të kreacioneve të tij të modës, në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Çikagos. Kjo është bërë jashtë, për revistën ‘Vogue’. Muzeu kishte dritare me materiale me ngjyra dhe mendova se do të ishte interesante të fotografoja nëpër to. Është imazh kolorit. Jam më shumë i tillë seç njerëzit mendojnë, edhe pse ndoshta kjo vërehet më shumë nga videot e mia.

U bë në të njëjtin vit kur Virgili mësoi për shëndetin e tij [u diagnostikua me kancer të rrallë më 2019 dhe vdiq më 2021]. Sigurisht, nuk dija gjë për këtë. Imazhi duket sikur ai është në dritën e ditës me errësirën që vjen. Ndonjëherë, më vonë, fotografitë mund të marrin kuptime të ndryshme. Bëra një foto të grupit Joy Division kur u transferova në Angli më 1979: Ian Curtis shikon drejt kamerës dhe të tjerët shikojnë larg. Duket sikur dija diçka, por natyrisht se nuk dija gjë. Kjo ndikoi tek unë kur mësova se Virgili ka vdekur, sepse ishte talent i jashtëzakonshëm. Nuk ishte stilisti juaj normal. Ishte shumë i zgjuar. Shumë i ri për t’u larguar.

DAMIEN HIRST, STRAUD, 2011

Kjo është më shumë një foto-koncept. Tema, padyshim, është vdekja. Sytë dhe hunda janë bërë me grim teksa Damieni rrinte para kamerës. Pas tij është një nga veprat e tij, që përbëhet nga insekte të ngordhura. Xhaketa e tij e firmës ‘G-star’ e kishte logon ‘3301’. Ia hoqa ‘01’-shin në post-produksion, sepse 33 vjeçare ishte mosha e Jezusit kur vdiq.

Ky imazh i referohet ‘Dashurisë së Zotit’, vepër e bërë nga Damieni nga një kafkë e veshur me 8601 diamante. Nuk ishte bashkëpunim: Thjesht e pyeta nëse mund të bëj një foto të tillë dhe ai ishte në rregull me këtë. E, mua më duket si një foto e 50 milionë dollarëve!

Damien në dukje është djalë krejt normal, por me fotografinë është gjithmonë një mënyrë për ta bërë imazhin të duhur. Jam adhurues i guximit të tij. Disa nga idetë e tij janë të bukura, disa sfiduese, të tjerat jo. Por, kjo nuk është aq e rëndësishme. Ai është novator.

NAOMI CAMPBELL, LONDËR, 1994

Kur isha më i ri, kisha vërtetë probleme me bukurinë e jashtme. U fokusova në atë që ishte e bukur përbrenda dhe si t’i bëja njerëzit të duken interesant e jo të bukur. Me modelet kurrë nuk e dija se çfarë mund t’i shtoja bukurisë së dukshme. Por, më pas takova disa që për mua u bënë njerëz e jo modele.

Megjithëse e bërë këtë në vitet 1990, nuk u botua deri në vitin 2020 në librin tim ‘MOØDe’. Kaloja nëpër arkivat e mia dhe i gjeta gjithë këto fotografi që i kisha harruar. Kjo është ajo që shpesh ndodhë: zgjedhja juaj bëhet kujtesa juaj e gjithë shkrepjes. Harron çfarë tjetër ke.

Ishte një nga imazhet që rizbulova. Më pëlqeu kjo me këpucë. Është bërë në një hotel pranë Hajd Park. Ishte e natyrshme ta fotografoje Naomin nudo, sepse ishte tepër e bukur dhe me pamje natyrale. Për mua ka qenë gjithmonë e mrekullueshme. Di si t’ju japë diçka. Po, jam i vetëdijshëm për reputacionin e saj të ashpërsisë, por kurrë nuk kam pasë përplasje me të. Fotografimi i muzikantëve nuk ishte asgjë si kjo. Në vitet 1970 muzika ishte një fushë shumë e dominuar nga meshkujt. Nuk do t’ia kërkonit asnjërit prej tyre që ti hiqte rrobat!

MILES DAVIS, MONTREAL, 1985

Miles e bënte një intervistë me Richard Cookun dhe m’u lejova të ulesha, por jo të fotografoja. Nuk ishte bash i sjellshëm me Richardin. Sa herë i përgjigjej një pyetjeje, thoshte: ‘E si e pate emrin ti”? Duhej ta fotografoja ditën tjetër, për pesë ose gjashtë minuta, në një dhomë hoteli. Ma dha një vizatim që e kishte bërë e që ishte vërtet i bukur. E kam akoma.

Miles ishte burrë i mrekullueshëm. Vështrimi i tij këtu është shumë intensiv. Mendoj se kështu ka jetuar. Kjo është bërë më vonë gjatë jetës së tij, kur kishte shumë dhimbje. Merrte injeksione me serum dhie që ndikuan te bebëzat e tij. Kjo është ajo që bie në sy në këtë foto. Bebëzat e tij janë aq të mëdha sa nuk do t’i shihni ndonjëherë tjetër.

Është një histori e famshme me Milesin duke darkuar me Ronald Reaganin, në Shtëpinë e Bardhë. Nancy thotë: ‘E, çfarë bën ti që të ftuan këtu’? Miles përgjigjet: ‘Kam ndryshuar rrjedhën e muzikës për pesë herë. Çfarë keni bërë ju përveç që keni q… presidentin’? Nuk e di nëse është e vërtetë, por më pëlqen.

E bëmë foton pranë dritares, sepse e përdori gjithmonë dritën që e kam në dispozicion. Nuk mbaj mend pse Miles e merr këtë pozë, por atij i pëlqeu dhe donte ta përdorte për albumin ‘Tutu’. Mjerisht, Warner Brothers tha se duhej bërë nga një fotograf i famshëm e, padyshim, unë nuk kualifikohesha si i tillë atë kohë. Kështu që pyetën Irving Pennin për këtë. Më pëlqen imazhi që bëri Penni, por mund të shihni se nga erdhi frymëzimi i tij.

Miles e ka një fytyrë kaq të fortë dhe intensive. Është shumë e bukur. Shumë fotografë që më fotografojnë kërkojnë ta bëj të njëjtën pozë. Por, kurrë nuk dukem as përgjysmë mirë si ai”. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vlerëson se…