Portreti që frymëzoi Shekspirin ta shkruante Othellon
Nga: Bledar Kurti
Në fjalët s’ jam i zoti; nukë di aspak
Të flas me mjeshtëri. Se që më shtatë vjetsh
E gjer ketu nëntë muaj, kam lëftuar
Me këta krahë nëpër fush’ e nëpër male.
Dhe, ndonëse shetita botën an’ e mb’ anë
Nuk di të flas veç për beteja dhe për luftra.
Othello
Teksa lexojmë këto fjalë të një vepre madhështore prej një pene epokale, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), dhe shohim portretin e Abd el-Ouahed ben Messaoud ben Mohammed Anounit, ambasadori arap në oborrin e Mbretëreshës Elizabeth I – krijuar nga dora e një artisti të panjohur – vetiu krijohet lidhja midis personazhit të Othellos dhe portretit në pikturë. Për më tepër, viti i tablosë është 1600 dhe vepra Tragjedia e Othellos, arapit të Venetikut daton në vitin 1603 – një përputhje racionale, e cila forcohet edhe më shumë nga fakti që arapi në tablo qëndroi në oborrin e mbretëreshës së Anglisë për gjashtë muaj dhe është e mundur që të jetë takuar me Shekspirin, ose të paktën personaliteti i tij i spikatur shërbeu si argjila e bustit të Othellos të përjetësuar nga dora e mjeshtrit më të madh botëror të letrave.
Tabloja është vaj mbi dru, me përmasa 113 me 87.6 centimetra. Emri i artistit mbetet i panjohur, megjithatë në pikturë jepet të dhëna të qarta mbi figurën e pikturuar. Mbishkrimet në të majtë tregojnë datën e vizitës, emrin e personit dhe moshën e tij: “1600 – Abdulguahid – Aetatis: 42” ndërsa titulli i tij është në të djathtë me nënshkrimin: Legatus Regis Barbariae In Angliam (Ambasador i Mbretit të Barbarisë në Angli.)
Kjo është piktura e parë e një myslimani e bërë ndonjëherë në Angli. Dhe, me pozën diktuese, vështrimin e mprehtë, veshjen dhe shpatën orientale, pigmentin e errët të lëkurës, duke përçuar fisnikëri, kureshtje, por edhe drithërima te shikuesit, kjo vepër duket si ilustrim i gjallë i Othellos. Është e vështirë të mos mendohet se ky udhëheqës ushtarak me çallmë, me prezencën e tij dinjitoze nuk mbeti në imagjinatën e Shekspirit kur shkroi veprën e tij Othello disa vite më vonë.
Por, kush ishte ky Arap nga Maroku i cili intrigoi oborrin mbretëror anglez dhe frymëzoi Shekspirin? Rreth vitit 1600, kur daton edhe kjo pikturë, Maroku dhe Anglia vendosën të forconin marrëdhëniet e tyre diplomatike përmes një sërë marrëveshjesh tregtare. Anglia dhe Maroku kishin tashmë lidhje të ngushta tregtare. Anglezët ishin konsumatorë të zjarrtë të sheqerit maroken. Sulltani i Marokut ishte i etur për t’i zgjeruar këto lidhje tregtare në një aleancë politike kundër armikut të përbashkët që ishte Spanja. Armiqësia që mbretëresha Elizabeth I dhe sulltani Ahmed al-Mansour i dinastisë Saadi që kishin për Spanjën, e bënë atë bashkim një manovër të rëndësishme ushtarake.
Duke dërguar delegacione diplomatike te njëra-tjetra, aleanca anglo-marokene u forcua në luftën kundër Spanjës nën mbretërimin e Filipi II, e ndërkohë duke i shërbyer njerëzimit edhe me lindjen e një vepre letrare emblematike nga Shekspiri.
Për ta forcuar edhe më tej marrëveshjen me Anglinë, në vitin 1600, sulltani Ahmed al-Mansour dërgoi sekretarin e tij kryesor si ambasador në oborrin e Mbretëreshës së Anglisë.
Nën urdhrat e sulltanit Saadi, ambasadori vizitoi Londrën së bashku me një delegacion të përbërë prej 17 vetash për të promovuar aleancën e re dhe për të negociuar një pushtim të përbashkët të Spanjës. Me 16 diplomatë të tjerë nga dinastia e Afrikës së Veriut, ambasadori mbërriti në Dover, një qytet dhe port në Anglinë Juglindore. Gjatë qëndrimit të tij gjashtëmujor në Angli, Ben Messaoud u takua dy herë me mbretëreshën Elizabeth I, saktësisht më 19 gusht dhe përsëri më 10 shtator 1600.
Të dhënat e oborrit mbretëror e përshkruajnë Mbretëreshën që e priti ambasadorin me madhështi dhe ceremoni të madhe në pallatin e saj mbretëror. Vizita në Londër ishte një mundësi për diplomatin e lartë maroken që të zbulonte qytetin nga ku do niste perandoria më e madhe e pesëqind viteve të fundit, duke u lënë mbresa edhe londinezëve me figurën e tij fisnike, që kuptohet edhe nga homazhi i pikturimit të portretit dhe staturës së tij.
Përveë elementëve artistikë të shprehur në tablo, përshkrimit vizual të personalitetit të arapit, dhe të dhënave të shkruara në latinisht, duket qartë edhe mesashi politik dhe diplomatik. Ambasadori i Marokut mban dorën e tij të djathtë në kraharor, një shenjë e besës, e fjalës së mbajtur, dhe e virtytit, ndërkohë që dora e majtë është me gishtin e indeksit të hapur, gati për të kapur shpatën. Mesazhi që arapi po jepte në emër të Sulltanit të tij ishte se do nderonin fjalën e dhënë dhe marrëveshjen me Anglinë, dhe do luftonin menjëherë krah për krah sapo të lindte nevoja. Por, gjithashtu, dora e gatshme për të mbërthyer shpatën, tregon edhe shpirtin luftarak që e gjejmë edhe në fjalët e Otellos: Dhe, ndonëse shetita botën an’ e mb’ anë. Nuk di të flas veç për beteja dhe për luftra. Gjithashtu, te Othello përmendet edhe shpata e stolisur si në pikturë: Shih këtu, ja ku kam armë; M’e mirë s’ka stolisur kurrë bres ushtari.