Portugalia synon ta shfrytëzojë terrin vendës ndaj Kosovës
Kosova përballet të shtunën mbrëma në Povoa do Varzim me Portugalinë, në ndeshjen e dytë në kuadër të grupit të katërt të eliminatoreve evropiane për botëror.
Portugezët shpresojnë t’i rivalizojnë polakët për pozitën e parë në grup, që dërgon tutje, por nuk pritet të kenë punë të lehtë as ndaj Kosovës në ndeshjen e dytë. Portugalia është paraqitur tri herë në botëror të hendbollit. Në botërorin e vitit 2003, të cilin e organizoi vetë, përfundoi e 12-ta. Së pari në botëror Portugalia ka garuar në vitin 1997, kur u rendit e 19-ta. Në vitin 2001 u rendit e 16-ta, ndërsa suksesin më të madh e pati në vitin 2003 me vendin e 12. Më nuk është kualifikuar për botëror. Në evropian për herë të parë garoi në vitin 1994 dhe u rendit e 12-ta. Në këtë garë u kthye në vitin 2007 kur zuri vendin e shtatë. Dy vjet më vonë ishte e nënta, në vitin 2004 e 14-ta, ndërsa në vitin 2006 e 15-ta. Ka mbi një dekadë që nuk ka garuar në evropian. Në kualifikime për evropianin e këtij muaji ishte në grupin e pestë dhe u rendit e treta.
Mbeti pas Gjermanisë e Sllovenisë, ndërsa la prapa Zvicrën. “Jemi përgatitur mirë për ndeshjet kualifikuese. Duhet të përmirësojmë disa gjëra në mbrojtje, por në përgjithësi jam i kënaqur. Në sulm duhet ta përmirësojmë efikasitetin e gjuajtjeve”, ka thënë Paulo Pereira, përzgjedhësi i Portugalisë.