Pos nga Kushtetuesja, do ta kërkojmë edhe opinionin e Komisionit të Venecias
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se po presin publikimin e dekretit nga presidenti Hashim Thaçi për mandatarin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Kryeziu ka thënë se përderisa nuk po ndodhë publikimi i kërkesës për mandatarin për kryeministër ndaj LDK-së nga ana e presidentit Thaçi, qeveria në detyrë do ta vazhdojë punën.
“Jemi në pritje të këtij dekreti, përmbajtjen e këtij dekreti dhe referimi që bëhet nga presidenti mbi hapat e tij drejt formimit të qeverisë dhe mbi këtë përmbajtje do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka treguar se mospublikimi i këtij dekreti është shprehje e gatishmërisë për të bërë veprime që janë ndesh me Kushtetutën. “Ne kemi shprehur bindjen tonë dhe besojmë se interpretimi ynë është i drejtë kur themi se veprimet e radhës të presidentit duhet të jenë ato që çojnë deri te shpallja e zgjedhjeve të parakohshme pasi që të kalojë pandemia dhe jo formimi i një qeverie të re”, ka thënë ai për Rtv Dukagjini.
Ai, po ashtu, ka thënë se do të kërkojnë opinion edhe nga Komisioni i Venecias.
“Për një kërkesë për opinion do t’i drejtohemi edhe Komisionit të Venecias, duke qenë të bindur që një opinion prej një institucioni të pavarur do të ndihmojë në sqarimin e kësaj situate kushtetuese, por në të njëjtën kohë do t’i shërbente edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese ashtu që ai të jetë sa më i drejtë dhe sa më kredibil”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë.