Poshtë urës aty mbi Lumëbardh
Ylli Mece
Poshtë urës aty mbi Lumëbardh
(Mitrovicës së plagosur)
Shëëëëët… e plagosur po fle një urë,
mbi kurrizin e kohëve të marra
me armë, helmeta e tela fort në të dy skajet
këmbë e kokë lidhur kanë trupin
Përgjumësh “qyteti somnambul” gdhihet pa qejf
me ëndrra të ndara…
Lumbardhi edhe pse i turbullt devijon
e kokulur ecën për ta fshehur turpin
Asnjëherë s’patë ndodhur që mbi një urë
të ulej ashtu dhe vetë Evropa
Për ndokënd do të ngelet mister
dhe të vërtetën akoma ndoshta nuk e dinë
Veç në këmbët e saj dikush shkroi në shqip:
Unë jam vetë revolta
Shpirti s’përgjysmohet një pjesë për shqiptarët
dhe diçka për Serbinë
Shëëëëët… po flenë barrikadat e lodhura
nga pesha që mbartin
(belbëzon me vete historia: E rrallë kjo,
për të mos thënë kurrë!)
Zgjohen fëmijët prej dy anëve e nga pagjumësia
gojët e tyre hapin
Pranë urës mbi Ibër sodit Evropa
fushëbetejën e fëmijëve me gurë
Shëëëët… ju lutem pak qetësi
përballen matanë urës dy lapidarë
Shkruar te njëri dëshmor lirie
po aq dhe tjetri plot invadorë
Histori të tillë më besoni
Globi kurrë në shekuj s’ka parë
Heronj dhe pushtues luftojnë,
dhe në monument me armë në dorë
Ti qesh e zgërdhihesh Evropë,
sikurse qeshe në Londër vite qëmoti
Vallë a nuk e ke kuptuar se poshtë urës mbi Lumbardh
po spati paqe, ka fuçi baroti