Post-komunistët dhe origjina e teorive për Sorosin
Marcus Baram
Presidenti Trump, në mesazhin e fundit që shkroi në “Twitter” për Sorosin, ku thoshte se ai kishte paguar parullat e protestuesve kundër Kavanaugh, thjesht po ndiqte një rrymë të vjetër. Sepse rryma “Sorosi, njeriu më i lig në botë”, ka nisur nga Rusia post-sovjetike që në fillim-vitet 1990, si fushatë dezinformimi.
Nëse nuk jeni ekspert në manipulimin e kursit të këmbimit të parave, në teorinë ekonomike të pabarazisë dinamike, mund t’ju falet nëse mendoni që Sorosi është djall, një Belzebub, një nazist i fshehtë dhe i plotfuqishëm, princi i errësirës apo Soroni (ky i fundit është personazhi i lig i Kryezotit të Unazave, që edhe rimon me Sorosin).
Në të vërtetë, Xhorxh Soros është miliarder që merret me investime fondesh. Ai ka lindur në Hungari, dhe duke qenë familje hebrenjsh, iu desh të shpërngulej që i vogël për t’i shpëtuar holokaustit. Më pas i ka përkushtuar disa dekada të jetës lëvizjeve demokratike e jo të dhunshme, për të ndikuar rënien e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik. Dhe kjo ishte pikërisht ajo që e futi në telashe.
Regjimet ruse dhe despotët e tjerë në vendet fqinje u tërbuan aq shumë nga mbështetja e hapur që ai u jepte kundërshtarëve të tyre demokratikë, sa dëbuan shoqatat që kishte financuar nëpër rajon. Në vitin 1997, Bjellorusia dëboi kryetarin amerikan të një shoqate që kishte hapur “Shoqëria e Hapur” e Sorosit në vend, dhe madje e mbajtën të ndaluar në aeroport, pa ushqim e pa mundësinë për të kontaktuar ambasadën amerikane.
Në atë kohë, për shkak të manipulimeve që bëheshin me kursin e këmbimit të parave nëpër gjithë ekonomitë e botës, Sorosi nisi të marrë qortime nga kritikët, si të majtë (Paul Krugman) dhe të djathtë (udhëheqësit e njohur për politika të dorës së fortë nëpër Evropën Lindore).
Këto kritika dolën shumë shpejt jashtë kontrolli, për shkak të miliona memeve të shpërndara nga Breitbart dhe Inforwars, deri në atë pikë sa emri i Sorosit u bë i barazvlefshëm me djallin. Madje, kur në vitin 2005 vendosi të blinte një pjesë të aksioneve të ekipit amerikan të basketbollit, “Uashington Nationals”, disa ligjvënës republikanë të SHBA-ve bënë thirrje që të zbatohej ligji i përjashtimit për arsye mosbesimi.
Ja se si renditen në linjë kohore teoritë më të çuditshme të komplotit kundër Sorosit;
1992: Udhëheqësi populist dhe antisemitist në Hungari, Istvan Csurka, e quajti Sorosin “kukull e Jeruzalemit”.
1995: Presidenti sllovak, Jan Slota, e akuzoi Sorosin dhe të tjerët se sillnin “para të pista” për të krijuar një “grusht shteti” në parlament.
1997: Kryeministri malajzian, Mahatir bin Mohamed, shpjegoi për krizën e zhvlerësimit të monedhës vendase: “Nuk duam të themi që është një komplot nga hebrenjtë, por është në fakt nga një hebre që shkaktoi zhvlerësimin e monedhës, dhe rastësisht, Sorosi është hebre.”
2007: Drejtuesi i Fox News, Bill O’Reilly, ndenji 10 minuta pa ndërprerje në TV duke e quajtur Sorosin “ekstremist që do të hapë kufijtë për emigrantët, që mbështet politikën e jashtme ‘një botë e vetme’, që do të ligjërojë drogën, eutanazinë, etj, etj…
2010: Drejtuesi televiziv Glen Bek bënte komente një-orëshe kundër Sorosit, dhe e përshkruante si personin që tërhiqte fijet e kukullave, që manipulonte sindikatat dhe që futi Obamën në Shtëpinë e Bardhë.
Rush Limbaugh e akuzonte Sorosin se ishte personi që kontrollonte Obamën, “që tërhiqte fijet e udhëheqësit të regjimit amerikan”.
2016: Një televizion në Rumani e akuzonte Sorosin se kishte paguar protestuesit e madje edhe qentë për të dalë kundër qeverisë.
Alex Jones i Infowars, i cili e ktheu Sorosin në shënjestrën e preferuar, e quajti njeri “tërësisht të lig”, dhe transmetonte kronika me tituj “Sorosi është duke rrëzuar Amerikën si fuqi”.
2017: Qeveria hungareze e ka sulmuar Sorosin me egërsi të paparë, me të gjitha llojet e epiteteve, deri në fjalime të mbajtura në parlament me titullin: “Detyrimi i krishterë për të luftuar planin e djallit dhe të Sorosit”.
Themeluesi i “Blackwater”, Erik Prince, beson se Sorosi fshihet pas një “Revolucioni Vjollcë” për të rrëzuar Trumpin. Dhe si argument thoshte që gazetarët duhet të pyesin se pse Hillari Klinton ishte veshur me kostum ngjyrë vjollcë në fjalimin kur pranoi humbjen në zgjedhje. Fjalët e tij: “Po i josh për Revolucionin Vjollcë. Mendoj se është vepër e Sorosit.”
Tomi Lahren, vajza që flet me shumë pak lidhje logjike mes fjalimeve, tha se Sorosi është personi që tërheq fijet për protestën e lojtarit amerikan, Kolin Kaepernik, që u gjunjëzua gjatë këndimit të himnit, për të thënë që jo të gjitha racat po trajtohen njëlloj nga vendi i atij himni. Ajo shkroi: “Urime Kaepernikut që po popullarizon urrejtjen nëpër Amerikë. Shoku yt Xhorxh Soros do të jetë bërë shumë krenar”.
2018: Dhe për ta mbyllur rrethin, presidenti rus, Vladimir Putin, u pyet për personat “trolla interneti” nga Rusia që përpiqeshin të ndërhynin me zgjedhjet në SHBA. Përgjigjja e tij ishte të përmendte Sorosin: “Ai ndërhyn në gjithçka, në të gjithë botën.”/ Fast Company Magazine/tch/