Posta e Kosovës apelon deputetët: Mbroni Postën!
Menaxhmenti i Postës së Kosovës, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të përcaktojë me Ligj të ri të RTK-së shpërndarjen e faturave të pagesave për këtë medium te qytetarët parapagues përmes Postës së Kosovës.
Në bazë të draft-ligjit për RTK-në që është duke u shqyrtuar aktualisht në Kuvend, shpërndarjen e faturave të tyre për qytetarët parapagues parashihet ta bëjë KEDS-i, që është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Postar.
Posta e Kosovës nga këto veprime të paligjshme të KEDS-it është duke u dëmtuar me miliona euro në vit, për çka iu ka dërguar disa herë me shkresa, kërkesa dhe ankesa MZHE-së, ARKEP-it, Agjencionit për Mbrojtjen e të dhënave personale, Avokatit të Popullit, por që nuk ka marrë përgjigje.
“Miratimi i kësaj dispozite të draft-ligjit për RTK-në në këtë formë duke e eliminuar Postën e Kosovës si operator i vetëm i licencuar për shërbim postar, shkatërron edhe më tutje Postën e Kosovës, ndërsa favorizon në ekstrem profitin e paligjshëm të kompanisë private KEDS”, thuhet në reagim.
Posta e Kosovës ka kapacitete të kryejë këtë shërbim postar me përgjegjësi të lartë dhe me çmime më të lira se çdo operator tjetër, andaj apelon te deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos të lejojnë miratimin e kësaj dispozite ligjore që favorizon operatorin privat të pa licencuar për shërbim postar.