Posta e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë lehtësojnë shitblerjen ‘online’
Të gjitha bizneset nga Kosova që shesin mallra “online” mund të shfrytëzojnë shërbimin e ri postar, i cili iu mundëson transportimin efikas dhe të sigurt të mallrave në shtete të ndryshme.
Kompanitë që merren me këtë biznes mund të dërgojnë mallra me peshë deri në 2 kilogramë për pako tek klientët e tyre.
Kjo është bërë e mundur falë marrëveshja së nënshkruar për këtë shërbim të ri nga kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe administratorit të Postës Shqiptare, Laert Duraj.
“Jam i lumtur që arritëm të lansojmë edhe këtë shërbim që do të ndihmoj afarizmin e bizneseve kosovare që ofrojnë shitje të mallrave në internet. Falënderoj përzemërsisht z. Duraj dhe Postën Shqiptare që pa asnjë hezitim ndihmuan Posten e Kosovës të jetë në hap me operatorët postarë evropian”, ka deklaruar Hoxha.
Ky shërbim do të realizohet përmes Postës Shqiptare e cila ka mundësuar që çdo dërgesë të pajiset me kodin e gjurmimit përkatësisht me “tracking number”, siç njihet në gjuhën angleze. Shitësit dhe blerësit mund të përcjellin dhe gjurmojnë rrugëtimin e pakove që nga momenti i blerjes “online”.
Ndërsa, administratorit të Postës Shqiptare, Laert Duraj, ka thënë se do të jenë gjithmonë të hapur ta ndihmojnë Postën e Kosovës.
/Epoka e re/