Posta e Kosovës hap një pikë të re në Prishtinë
Në sheshin “Zahir Pajazi” në Prishtinë, të enjten është hapur një zyrë e re e Postës së Kosovës, e 145-ta me radhë. Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kurti këtë pikë e shfrytëzoi edhe për dërgimin e një kartoline.
Kryeministri Kurti ka thënë se Posta e Kosovës po ngritët duke ofruar shërbime cilësore dhe të shpejta e më të lira.
“Pika e 145 në Republikën e Kosovës e njëkohësisht edhe pika më e mirë në kryeqytetin e Republikës në Prishtinë. Nëse dikush ka pasur dilema se cili është vendi më i mirë në Prishtinë, është pikërisht pika e re e Postës së Kosovës. Posta e Kosovës është duke u ngritur, duke i bërë shërbimet më cilësore e më të shpejta e më të lira, dhe duke qenë gjithherë pranë qytetarëve tanë pa dallim”, ka theksuar Kurti.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se në Kosovë tashmë ka një menaxhim më të mirë dhe përkrahje më të mëdha nga qeveria për ndërmarrjet publike, raporton ksp.