Posta lëshon në qarkullim tri pulla postare me imazhet artistike të Tahir Emrës
Në kuadër të tematikës “Arti vizual – Tahir Emra”, filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim tri pulla postare me imazhet artistike të piktorit të shquar, Tahir Emra, të titulluara: Vatra-oxhaku, Piknik në Çabrat dhe Peizazh.
“Piktori Emra, që nga fillimi kishte një rrugëtim të sigurt në formësimin e tij me shprehje përmbajtjesore, i cili hyri në mesin e krijuesve të mëdhenj që patën idealizmin e theksuar, e që vizatimin e pati përherë si pikënisje të lartë për realizimin e veprave të larta artistike. Ngjyra, për piktorin Tahir Emra, është alfa dhe omega e shpërfaqjes së tij kreative në pikturë, që për 60 vite krijimtari rrugëtoi sigurt nëpër faza. Këtë sens e vërejmë edhe në peizazhet nga vendlindja e tij Gjakova, mbi Çabratin, të cilit i kushtoi poezi me ngjyra në mënyrën më të lartë pikturore”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Në këtë njoftim theksohet se filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona artistike dhe kombëtare.