Posta nxjerr pulla postare me veprat e artistit Esat Valla
Në kuadër të tematikës “Arti vizual: Esat Valla – veprat”, Filatelia e Postës së Kosovës emetoi pullat postare me imazhet artistike të piktorit të shquar kosovar Esat Valla.
Esat Valla lindi në Gjakovë më 22 prill 1944. Artin vizual kosovar e begatoi me vepra që japin kuptimin dhe narracionin e veçantë të një surrealisti që, pa dyshim, kanë vlerë të pamohueshme jo vetëm artistike, por edhe historike. Periudhat e krijimtarisë së artistit janë po ato të popullit dhe atdheut të tij.
Megjithatë, siç shprehet vetë piktori: “Në art është e pranishme fshehtësia. Duhet të kemi respekt për atë fshehtësi. Kur njeriu mendon se e ka zbuluar, ajo është zgjuar edhe është thelluar diku pas”.
“Tri pulla postare që emetohen në kuadër të këtij emisioni prezantojnë dy periudha të krijimtarisë së Vallës. ‘Hasjanja pranë dritares’ dhe ‘Hasjanja pas parmakëve’, të realizuara në vitet e mëhershme, paraqesin shqetësimin e piktorit për ta paraqitur të kaluarën e veshjeve autoktone të vajzave të Hasit. ‘Dritarja, roleta e këputur’ paraqet shqetësimet e viteve ’81-’91”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Veprat e piktorit Esat Valla janë mjaft të pasura me simbolikë mistike, dyer të vjetruara ndër shekuj, dollapë, dritare, imazhe të zakonta me konkretësinë e tyre tërheqëse.
Veprat e tij kanë si pikë referimi përvojën e vet artistit, atë profesionale dhe atë jetësore, duke denoncuar pashtershmërinë e imazheve, ndjeshmërinë dhe risinë e tyre, raportin midis së shkuarës dhe të tashmes, referimet simbolike, të cilat, në kontekstin e tyre më të plotë, përmbajnë shenjën që mbart ky artist.
“Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare t’i afirmojë vlerat tona artistike dhe kombëtare”, është theksuar në këtë njoftim.