Posta nderon Violeta Rexhepagiqin me pullë postare
Posta e Kosovës ka lëshuar të martën në qarkullim postar llojin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiq”, për nderim të gazetares dhe kantautores avangarde të rok skenës të viteve ’80-ta.
Violeta Rexhepagiq ka lindur lind në Prishtinë në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e kishte filluar në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërsa në vitet e ’80-ta, ajo ka sjellë një stil unik dhe avangardë në rok skenën e Kosovës. Ajo ka përfaqësuar për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish-Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.
Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta ishte angazhuar nga Skynews si raportuese nga zonat e luftës.
Pas luftës në Kosovë, ajo e ka vazhduar veprimtarinë në lëmin e gazetarisë në RTK, deri më ndarjen e hershme nga jeta në vitin 2020.